Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, tha se sipas vendimit të vitit 2020, Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duhet t’i raportojë kësaj ministrie.
Krasniqi tha se ai ka ftuar për në një takim më 18 prill pjesëtarët e Ekipit Menaxhues, por asnjëri prej tyre nuk i është përgjigjur kësaj ftese.
Para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të merrte drejtimin e ekzekutivit kosovar, kjo ministri udhëhiqej kryesisht nga serbët, që ishin pjesë e qeverive të Kosovës. Disa nga ish-ministrat ishin edhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe anëtarë të tjerë të këtij subjekti – që është subjekti më i madh i serbëve në Kosovë – sikurse Ivan Todosijeviq dhe Lubomir Mariq.
Ministri Elbert Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook publikoi më 27 prill edhe vendimet e mëhershme në bazë të të cilave janë emëruar apo ndryshuar pjesëtarët e Ekipit Menaxhues për formimin e Asociacionit.
Siç tha ai, janë tri vendime të Ministrisë të Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me emërimin apo largimin e anëtarëve të Ekipit Menaxhues, që bazohen në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
“Vendimi i parë ishte marrë në qershor të vitit 2013, gjatë Qeverisë [Hashim]Thaçi. Vendimi i dytë ishte marrë në qershor të vitit 2016, gjatë Qeverisë [Isa] Mustafa. Vendimi i tretë ishte marrë në shtator të vitit 2020, gjatë Qeverisë [Avdullah] Hoti”, shkroi ministri Krasniqi.