Përmasat e zjarreve që kanë përfshirë pyjet e Amazonës në Brazil kanë shqetësuar mbarë botën. Në BE, Franca dhe Irlanda kanë paralajmëruar me bllokimin e marrëveshjes tregtare me Amerikën e Jugut, nëse autoritetet braziliane nuk angazhohen seriozisht për të luftuar flakët, që po shkatërrojnë një nga burimet kryesore të oksigjenit në planet.
Zjarret në pyjet e Amazonës, në Brazil, të konsideruara ndër më të rëndat në 10 vitet e fundit, kanë shqetësuar mbarë komunitetin ndërkombëtar. Franca dhe Irlanda kanë deklaruar se nuk do ta ratifikojnë marrëveshjen e madhe tregtare me vendet e Amerikës Latine nëse Brazili nuk bën më shumë për të luftuar zjarret.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se homologu Jair Bolsonaro e kishte gënjyer sa i takon qëndrimit të tij në lidhje me ndryshimet e klimës. Aktualisht në pyjet e Amazonës, një nga burimet kryesore të oksigjenit në botë, llogariten disa mijëra zjarre, rreth 85 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Grupet ambientaliste thonë se zjarret janë të lidhura me politikat e presidentit Bolsonaro, akuzë të cilën ai e mohon. Lidhur me situatën ka reaguar edhe kryeministri britanik Boris Johnson, i cili ka shprehur “shqetësimin e thellë” për impaktin tragjik që do të ketë nga humbja e habitateve pyjore.
Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel e ka cilësuar zjarrin një “emergjencë akute” që përbën kërcënim jo vetëm për Brazilin dhe vendet e tjera të prekura, por për të gjithë botën.
Nga ana e tij, presidenti brazilian tha të premten se po shqyrton disa opsione për shuarjen e zjarreve, përfshirë këtu angazhimin e ushtrisë. Por ai akuzoi homologun Macron se ka ndërhyrë në këtë çështje për qëllime politike.
Por Macron dhe kryeministri irlandez Leo Varadkar thanë se nuk do ta ratifikojnë marrëveshjen tregtare, veç rastit nëse Brazili tregon angazhim për mbrojtjen e ambientit.
Marrëveshja, për arritjen e të cilës u deshën 20 vjet negociata, u nënshkrua mes BE-së dhe bllokut amerikano-jugor të përbërë nga Argjentina, Brazili, Uruguaji dhe Paraguaji./ABC News Albania 24/7