Rama: Të shmangim luftën për krahë pune, rritja e pagës në sektorin publik, duhet të ndiqet edhe te privati

schedule16:57 - 24 Prill, 2023

schedule 16:57 - 24 Prill, 2023

Kryeministri Edi Rama pasditen e kësaj të hëne ka qenë i pranishëm në forumin Ekonomik, Klima e Biznesit, ku edhe një herë ka risjellë në vëmendje rritjen e pagave.

Rama është shprehur se reforma më e rëndësishme e qeverisë në këtë fazë është rritja e pagës së punonjësve do të na mbajë sa më larg luftës që ka përfshirë vendet evropiane për gjetjen e krahëve të punës.

Ndër të tjerë kreu i qeverisë është shprehur se rritja e pagës në sektorin publik është një fakt që ne shpresojmë të ndiqet dhe nga sektori privat nëse sipërmarrja në vendin tonë nuk do që të bëhet pjesë e mungesës së kapitalit njerëzor.

“Dua ta nis me aspektin e pagave dhe me nevojën për të përsëritur domosdoshmërinë se ky është një moment kritik për Evropën pjesë e së cilës ne jemi, dhe për vendin tonë që nuk bën përjashtim nga pjesa tjetër dhe është në një garë që sapo ka filluar. Është një luftë për krahun e punës që ne duhet që me patjetër ta përballojmë, dhe efekteve katastrofike të së cilës ne duhet që ti mbijetojmë në këtë rrugë që ka hyre ekonomia jonë. Është në një moment kthese shumë të rëndësishme. Ne kemi rritur në një mënyrë domethënëse pagat në sektorin publik, gjë që nuk e kemi pasur më parë dhe kjo rritje ne jemi të bindur që do të japë efekte pozitiv,  por ne shpresojmë që efekti i saj të japë dhe efekt në rritjen e pagës në privat. Sot sipërmarrja e ndjen, me këdo që flet e dëgjon ka mungesë të kapitalit njerëzor të pamjaftueshëm. Nesër sipërmarrja nuk duhet që të vijë në pikën, si i zoti që i vdiq gomari, kur e mësoi që të mos haje.

Nuk mund të bëhet biznes me krahun e lirë të punës. 30 vite më parë kur u hodhën dhe hapat e pata të fasonerisë, sot ato gra janë në rrugën e daljes në pension vit pas viti, pasi kanë punuar 30 apo 20 vite, në një punë shumë të vështirë të paguar pak. Duke u dhënë mundësi sipërmarrësve që tu thonë porositësve të materiale që prodhojnë se ju këtu mund të prodhoni për të gjithë firmat e mëdha me një kosto si në asnjë vend tjetër, kjo ishte një fazë e dalë nga komunizmi dhe ishte e pashmangshme por sot i është dhënë fund tashmë.

Ajo që është e domosdoshme sot është një aleancë me bindjen se ky është një element i rëndësishëm për të ardhmen e ekonomisë sonë dhe të vetë kompanisë. Në këtë fazë Shqipëria duhet të jetë e përgatitur që ti bëjë ballë kësaj stuhie për krahë pune që ka nisur në vendet e Evropës. Pa diskutim që ne i kemi të gjithë mundësitë që ti mbijetojmë stuhisë, duke bërë që sipërmarrja të bëjë një hap më shumë. Ka sipërmarrje në vend që i kanë pagat e larta por duhet që të vrapon më shumë se është një luftë me sekondin”, ka thënë Rama./abcnews.al