Italia rikthen “dominancën”, 5 klube të Serie A arrijnë gjysmë-finalet evropiane

schedule10:59 - 21 Prill, 2023

schedule 10:59 - 21 Prill, 2023

Kompeticionet evropiane kanë hyrë në fazën e tyre më “të nxehtë” dhe mesa duket klubet italiane kanë rikthyer “dominancën” e tyre në Evropë, çka i mungonte “kontinentit të vjetër” prej shumë kohësh, teksa nga 12 ekipet që kanë arritur gjysmë-finalet e Champions, Europa dhe Conference League, 5 prej tyre janë italiane, më shumë se kushdo shtet tjetër.

Kështu, në Champions League kemi një gjysmë-finale tërësisht “milaneze”, me Milan e Inter që do të ndeshen në të famshim “Derby della Madonnina”, duel ky që mungonte në garat evropiane që nga gjysmë-finalja e Ligës së Kampionëve në vitin 2002-2003, me “kuqezinjtë” e Milanos që ngritën dhe “veshllapushen” në ajër atë vit.

Pas ekipeve nga Milano në Champions, kemi Juventus e Roma në Europa League, me ekipet që do të ndeshen respektivisht ndaj Sevilla e Bayer Leverkusen, me shpresën që në “Puskas Arena” të Budapestit, finalja të “flasë” e tëra italisht. Mirëpo, nuk mbaron me kaq pasi në garë ka mbetur dhe Fiorentina, me “violët” e Firences që shihen si pretendentët kryesorë për të triumfuar në Conference League, teksa në gjysmë-finale do të ndeshen ndaj zviceranëve të Basel, aty ku aktivizohet dhe “legjionari”, Taulant Xhaka.

Në krahun tjetër, vendi i 2-të e i 3-të përsa i përket “garës” se kush ka më shumë ekipe në Evropë mbahet nga Spanja e Anglia, me “iberikët” që përfaqësohen tashmë në kompeticionët evropiane vetëm nga “padronët”. Në Champions kanë mbetur “galaktikët” e Real Madrid, të cilët janë rekordmenët e kompeticionit me plot 14 trofe të fituar, ndërsa në Europa League ka mbetur Sevilla, të cilët gjithashtu janë rekordmenët e kompeticionit me 6 trofe të fituar.

Anglia përfaqësohet nga Manchester City në Champions League e West Ham në Conference League, ekipe këto që hynë në listën e pretendentëve kryesorë për të fituar kompeticionet respektive.

Ndërkaq, në vendet e fundit me më shumë pjesëmarrës renditen, Gjermania, Zvicra e Hollanda, shtete që përfaqësohen respektivisht nga Bayer Leverkusen në Europa League dhe Basel e AZ Alkmaar në Conference League. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!