Endri Çekiçi është futbollisti më në formë shqiptar në Europë

schedule13:10 - 21 Gusht, 2019

schedule 13:10 - 21 Gusht, 2019

Endri Çekiçi mund të quhet lojtari më i mirë shqiptar në Europë, në këtë fillim edicioni. Ai ka shënuar 3 gola dhe synon titullin kampion në Slloveni.

Sezonin e kaluar e mbylli në mënyrën më të mirë. Gjashtë gola në më pak se 5 muaj ishin karta e identitetit të Endri Çekiçit në skuadrën e tij të re në Slloveni, dhe kjo nuk ndryshoi as këtë edicion të ri.

Lojtari ofensiv shqiptar, në moshën 22-vjeçare, po tregon se ka arritur pjekurinë dhe përshtatjen e duhur tek Olimpija e Ljubljanës, duke qenë tepër i rëndësishëm që në muajin e parë.

Pogradecari ka realizuar dy herë në gjashtë ndeshje të Ligës së Parë të Sllovenisë, edhe pse nuk është një sulmues tipik, por luan pas sulmuesve kryesorë.

Ai po ndihmon Olimpijan që të rivalizojë për titullin kampion, me ekipin që ndodhet në vendin e dytë me 13 pikë, vetëm 1 pikë më pak se Aluminij.

Jo vetëm kaq, por kryeqytetasit kanë shënuar më shumë se çdo rival deri tani, plot 13 herë.

Çekiçi ishte një nga lojtarët vendimtarë të Olimpijas edhe në Ligën e Europës, në kualifikimin ndaj Rigës në turin e parë eleminator.

Pas humbjes në Slloveni, u arrit fitorja vendimtare në Letoni, me shifrat 2-0, ku golin e parë e shënoi pikërisht shqiptari.

Çekiçi shpreson që kjo formë ta ndihmojë për të tërhequr vëmendjen e trajnerit Reja, dhe të grumbullohet në kombëtare. /ABC News Albania 24 /7 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!