PRISHTINË– Me propozim të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbledhjen e 138-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, 14 prilli është caktuar Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Bekim Blakaj, drejtori i Qendrës për të Drejtën Humanitare tha për “Ballkan Update” tha se jozyrtarisht thuhet se janë rreth 20 mijë persona, të cilët kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë agresionit të ish-Jugosllavisë në Kosovë.
Ai u shpreh se ky hap i ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës është për t’u përshëndetur.
“ Komuniteti i viktimave të kësaj kategorie është shumë i madh, është folur për 20 mijë dhe ky numër nuk është konfirmuar zyrtarisht, por gjithsesi është shumë i madh. Dhuna është përdor si mjet lufte në Kosovë gjatë luftës 1998-1999. Kjo është për t’u përshëndetur”, theksoi ai.
Sipas tij, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët për të zhdukurit e luftës. Ai thotë se bazuar në të drejtën ndërkombëtare, Serbia duhet të dëmshpërblejë dëmet e luftës sa i përket peronave, të cilët janë zhdukur me dhunë.
“Është dakordësuar marrëveshja, e cila ende nuk është nënshkruar. Palët janë zotuar për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur. Edhe po që se nënshkruhet nuk e di se si do zbatohet, apo në fakt a do të zbatohet dhe si do të zbatohet. Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukje e Dhunshme do duhej që familjet e tyre të kompensohen nga shteti që ka kryer zhdukje të dhunshme. Kjo mbete për t’u parë nëse do ketë referencë.”, tha ai./n.m.abcnews.al