Eva Kjaer është shqiptarja që po korr shumë sukses në Danimarkë në fushën e gastronomisë. Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ajo ka treguar të gjithë historinë e jetës së saj, nga emigrimi në Greqi, njohja me bashkëshortin danez, vështirësitë kur u shpërngul në Danimarkë deri te vazhdimi i shkollës për gastronomi molekulare.
“Ishte një ëndërr që as më shkonte në mendje kur ika, ika si shumica e shqiptareve me ate rebelizmin e viteve të rinisë, me atë kuriozitetin. U nisa gocë Tirane me familjarët, me shoqërinë nëpër Greqi. Aty ishte komplet realitet tjetër. Unë kam lënë në mes studimet për ekonomi-financë dhe aty e gjeta veten duke punuar në fabrikë orizi. Hapa një restorant të vogël, me meze, gjëra simple dhe më vonë pas kam ndejtur në Greqi gati 15 vite, aty u njoha me dashurinë e jetës.
Greqia njihet për pushuesit danez dhe gjerman. Ishte vërtetë dashuri, por jo me shikim të parë, sepse bashkëshorti ndejti një muaj aty, vinte gjithmonë, frekuentonte vendin e punës sime, aty pak e nga pak. Pak kurioziteti, pak domosdoshmëria ta shikoja përditë tashmë dhe filloi avash avash. Isha goc e pjekur tani, nuk isha adoleshente.
Unë jam 53 vjeç dhe kam ikur në moshën 20 vjeçe. Ka qene shumë fillimi i vështirë, dy vitet e para kanë qenë të tmerrshme. Ndryshimi i gjuhës, ndryshimi i mentalitetit, ndryshimi i kulturës, koha, ishin elemente shumë të rëndësishme. E kisha vendosur që do ja dilja dhe u futa direkt në shkollën e gjuhës”, u shpreh Eva./abcnews.al