Vetëm pak orë më parë u raportua se “bomberi” anglez i francezëve të Reims i huazuar nga “topçinjtë” e Arsenal, Folarin Balogun pritet të kthehet si “hero” te “topçinjtë” gjatë merkatos së verës, me tekniku spanjoll Mikel Arteta, që e sheh 21-vjeçarin si “opsion” të dytë pas brazilianit Gabriel Jesus.
Mirëpo, sipas mediave angleze, “bomberi” i “tre luanëve” nuk do të mjaftohet me rolin e zëvendësuesit dhe për këtë aryse aludohet se Balogun do të transferohet në një ekip ku e ka të sigurtë rolin e titullarit, me sulmuesin që nuk ka më dëshirë të huazohet por të luajë në një ekip stabël.
Kështu, për kartonin e 21-vjeçarit aktualisht janë në garë 4 ekipe, ku përveç “kushërinjve” të Milanos, Milan e Inter, në garë për “bomberin” anglez janë dhe Leipzig, Monaco e Marseille, ekipe këto që janë të gatshme t’i ofrojnë sulmuesit një pozicion “të sigurtë” titullari.
Ndërkaq, kujtojmë se deri më tani Balogun ka shënuar plot 18 gola në 29 ndeshje të luajtura në Ligue 1, teksa vlen për t’u theksuar se kjo është eksperienca e tij e parë jashtë Anglisë. /i.m /abcnews.al