Kukësi vijon përforcimet në merkato. Verilindorët kanë zyrtarizuar mbrojtësin Blerim Kotobellin duke fituar duelin me skuadrën e Skënderbeut që interesoheshin për ish-futbollistin e Flamurtarit.
“Futboll Klub Kukësi njofton arritjen e marrëveshjes me Blerim Kotobellin. Mbrojtësi do të jetë pjesë e skuadrës për sezonin e ri futbollistik 2019-2020, pasi ka nënshkruar kontratë me klubin tonë për një vit. 27-vjeçari vishet blu pas disa eksperiencave me skuadrën e Tiranës, Teutës, Partizanit dhe së fundmi me atë të Flamurtarit”, njofton skuadra e Kukësit.
Sa i përket merkatos në dalje, në radhët e nënkampionëve të Shqipërisë konfirmohet largimi i Ardijan Cuculit.
“Futboll Klub Kukësi njofton mbylljen e bashkëpunimit me Ardijan Cuculin. Marrëveshja mes Klubit tonë dhe 32-vjeçarit ka përfunduar. Qendërmbrojtësi, i ardhur te skuadra jonë një vit më parë, është aktivizuar në 38 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke fituar Kupën e Shqipërisë. Klubi falenderon Ardijan Cuculin për kontributin e dhënë me fanelën blu dhe i uron suksese në karrierë”, thuhet në një njoftim.
Skuadra e Kukësit është përfshirë nga ndryshime të shumta në organikën e lojtarëve, por edhe në stafin drejtues. Synimi për edicionin e ri është fitimi i titullit kampion./ABC News Albania 24/7