Aleati i Partisë Demokratike, Agron Duka ka hedhur poshtë çdo mundësi që në 13 Tetor të zhvillohen zgjedhje të reja vendore. Në një intervistë për ABC News, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste thotë se situata me kandidatin e Shkodrës e thellon krizën, duke sjellë nevojën për një marrëveshje të gjerë politike. Duka është i bindur se edhe nëse Valdrin Pjetri do të shkarkohet si kryebashkiak i Shkodrës, Presidenti Meta nuk do të dekretojë datë të re për zgjedhje në këtë qytet.
Agron Duka respektoi dekretin e Presidentit të Republikës për zgjedhje vendore në 13 Tetor, por pavarësisht kësaj është i bindur se ajo është një datë e rrëzuar. Në një intervistë për ABC News, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste mohon përçarje me aleatët e tij në koalicionin opozitar për regjistrimin në KQZ, duke sqaruar se regjistrimi ishte edhe një detyrim për kryebashkiakët opozitarë që nuk morën pjesë në zgjedhje.
“Ne në respekt të dekretit të Presidentit, disa nga partitë opozitare u regjistruan për zgjedhjet e 13 Tetorit. Ju thoni sa shanse ka? Zero shanse ka që të bëhen zgjedhje. Pyetja që bëhet është pse disa nga partitë u regjistruan dhe parti të tjera jo? Mendoj që ne thjesht shprehëm respektin për dekretin e Presidentit”, tha Duka.
Hetimi për pastërtinë e figurës për rastin e kandidatit socialist të Shkodrës,Valdrin Pjetri dhe mundësia për shkarkimin e tij për Dukën pritet ta thellojnë akoma më shumë krizën. Aleati i Bashës është i bindur se Ilir Meta nuk do të rrëzojë veten dhe s’do dekretojë një datë të re.
“Situata që po kalojmë është e pakuptimtë. Ju bëni pyetje se çfarë do të bëjmë me Shkodrën. Nuk ka matematicien që ta gjejë se ça do bëhet. Mazhoranca thotë njoh 30 Qershorin, opozita thotë njoh 13 Tetorin. 13 Tetori i kaloi të gjitha afatet kushtetuese. Nuk bëhet më që të ribëhen zgjedhjet në Shkodër nëse ky zotëria penalizohet me ligjin e dekriminalizimit. Duhet dekreti i Presidentit. Presidenti ka dhënë dekretin me 13 dhe nuk jep datë tjetër. Ça do bëhet? E zgjidh Gjykata Kushtetuese. Gjykatë Kushtetuese nuk ka. Gjithë kjo situatë e pakuptimtë kërkon t’i thërrasim arsyes që të gjithë”, tha Duka.
Zgjidhja duhet të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje. Por Duka është kategorik kur shprehet se pakte si ai i 2017-s mes Ramës e Bashës, politika shqiptare nuk duhet t’i përsërisë më.
“Larg qoftë. Vetëm ajo jo. E 2017-s, ajo tregoi që nuk zgjidhi asgjë. Përkundrazi e ricikloi krizën. Nëse bëhen marrëveshje të tilla për të ricikluar kriza në leverdi të individëve të veçantë kjo është në dëm të Shqipërisë. Duhen marrëveshje që të kenë një zgjidhje të qëndrueshme”, tha Duka.
Kur pushimeve të Gushtit po i vjen fundi, politikës i duhet që me nisjen e Shtatorit të marrë vendime të forta. Ndërkombëtarët pritet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ndërmjetësuar, por zgjidhja njësoj si dy vjet më parë mund të vij edhe në orët e fundit. /ABC News Albania 24/7