Gjiknuri pas mbledhjes së Kryesisë: PS hyn e sigurtë në zgjedhje, opozita e “zhytur” në rublat ruse

schedule09:54 - 7 Prill, 2023

schedule 09:54 - 7 Prill, 2023

TIRANË- Partia Socialiste ka mbledhur ditën e sotme kryesinë, ndërsa u diskutua mbi strategjitë, që do ndiqen në kuadër të zgjedhje vendore të 14 majit.

Pas mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri tha për mediat se takimet e fushatës elektorale do të nisin javën tjetër, ashtu siç e parashikon dhe Kodi Zgjedhor.

Ai zbuloi pak nga strategjia e selisë rozë, të cilën kanë menduar ta zbatojnë në këtë fushatë.

“Në mbledhje u diskutua nga të gjithë anëtarët për strategjinë dhe kalendarin e aktiviteteve që shumë shpejt do i bëjmë publike. Ishin mbledhje organizative ku të gjithë anëtarët e kryesisë dhanë mendimet. Hyjmë të siguritë me një strategji të mirëmenduar. Kemi menduar të mos bëjmë aktivitete masive, nuk duam të bërtasim por t’u tregojmë njerëzve se çfarë pune kemi bërë. Aktivitetet do fillojnë javën tjetër në përputhje me kodin zgjedhor”, tha ai.

Numri dy i socialistëve komentoi dhe kampin kundërshtar, ndërsa tha se ata janë të zhytur në “rublat ruse”.

Sipas tij, Partia Socialiste si strategji kryesore ka ndërtimin e të ardhmes dhe përmirësimin e jetesës për qytetarët shqiptarë.

“Rublat ruse ata janë vetë të zhytur, strategjia jonë është për ndërtimin e të ardhmes, pala tjetër ju e dini që ka një strategji tjetër që nuk përkon me atë të shqiptarëve.Nuk është çështja jonë, ju takon organeve të drejtësisë që të zbulojnë të vërtetën, PS e ka bërë thirrjen që kjo është një çështje kombëtare, që duhet të marrë zgjidhje nga drejtësia. Përveç faktit që PS nuk do të shpenzojë në këtë fushatë, ne duam të japim mesazhe për qytetarët, ne e shikojmë Shqipërinë si një vend që po bën progres, stabël që po rritet në të gjitha dimensionet. Ne mbjellim një pemë, ata le të çirren”, deklaroi Gjiknuri./n.m. abcnews.al