Tkurret ekonomia gjermane, rënie në tremujorin e dytë të vitit

schedule16:30 - 14 Gusht, 2019

schedule 16:30 - 14 Gusht, 2019

Ekonomia gjermane ka përjetuar një tkurrje në tremujorin e dytë të vitit. Ekspertët kanë dhënë alarmin se, rënia ekonomike e verifikuar për periudhën prill-qershor do të ketë pasoja për tremujorin pasardhës dhe sidomos për tregun e punës.

Ekonomia gjermane u tkurr gjatë periudhës prill-qershor të këtij viti. Një rënie e ndjeshme e eksporteve ndëshkoi rritjen ekonomike, që vjen në një kohë kur institucionet i druhen një rënieje në rang global.

Konkretisht, Prodhimi i Brendshëm Bruto ra me 0.1 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ka bërë të ditur Zyra Federale e Statistikave.

Këto ndryshime e çojnë kuotën e rritjes vjetore në 0.4 për qind. Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës, për pak i shpëtoi reçesionit vitin e kaluar. Ndërkohë, sinjalet paraprake për tremujorin e tretë duken ogurzeza, ka deklaruar Endriu Keningam, shef për seksionin e Europës në grupin Kapital Ekonomiks.

Sipas tij, të dhënat mbi biznesin e manifakturës për muajin korrik, që sapo kaloi, ishin po ashtu të zymta.

“Dhe ndërsa sektori i shërbimeve do të vazhdojë të mbahet më mirë, ka tregues që sugjerojnë se rënia ekonomike po prek tregun e punës”, ka deklaruar Keningam.

Ndërsa shifrat në tërësi kanë qenë negative, shpenzimet familjiare dhe ato qeveritare janë rritur bashkë me investimet jashtë sektorit të ndërtimit.

Vetë ndërtimi pësoi një rënie pas një tremujori të parë pozitiv për shkak të motit të butë.

Ndërkohë, lufta tregtare SHBA-Kinë dhe dalja e Britanisë nga BE-ja, sidomos në rast se bëhet pa një marrëveshje, janë faktorë që prekin besimin tek ekonomia globale./ABC News Albania 24/7