Paçka se ndodhet në vendin e 14-të të renditjes të kampionatit francez të futbollit, Ligue 1, teksa ka arritur të grumbullojë vetëm 30 pikë e ndodhet shumë pranë zonës së rënies nga kategoria, “kanarinat” e Nantes kanë arritur të përsërisin “mrekullinë” e vitit të shkuar, teksa mundën mbërmjen e djeshme në “shtëpinë” e tyre, “Stade de la Beaujoire”, rivalët e Lyon në gjysmë-finalen e Kupës së Francës, duke kapur finalen e kompeticionit për të dytin vit radhazi.
“Kanarinat” edhe pse nuk patën gjatë gjithë kohës dominimin e ndeshjes patë mundësi të zhbllokonin ndeshjen që në minutën e 32’-të falë “strategut” të mesfushës nga Kongo, Samuel Moutoussamy, por pas rishikimit me sistemin “VAR”, goli u anullua për shkak të një pozicioni jashtë loje gjatë ndërtimit të aksionit.
Goli i vetëm në fitoren minimale 1 me 0 të “kanarinave” erdhi në pjesën e dytë, ku në minutën e 57’-të kapiteni Ludovic Blas stopon bukur me gjok një krosë të lehtë nga Fabien Centonze dhe me një goditje potente në shtyllën më të afërt “shtang” portierin e Lyon, Anthony Lopes, duke mos i dhënë këtij të fundit asnjë lloj mundësi për të pritur topin.
Kjo fitore “e magjishme” e sjell skuadrën e Nantes, për të 10-tën herë në finalen e Kupës së Francës, ku nga 9 finalet e luajtura deri më tani ka arriti të fitojë 4 prej tyre, në vitet 1979, 1999, 2000 e 2022. Tashmë “kanarinat” presin vetëm emrin e finalistit tjetër, emër ky që do të dalë nga përballja e mbrëmjes së sotme mes Annecy e Toulouse. /i.m /abcnews.al
SHIKONI GOLIN: