Ekzekutimi në Rrëshen, zbulohet e kaluara e viktimës

schedule11:38 - 12 Gusht, 2019

schedule 11:38 - 12 Gusht, 2019

Një 45 vjeçar është vrarë në qendër të qytetit të Rrëshenit në rrethana ende të paqarta. Viktima është një person nga Mirdita i identifikuar si Armando Gjini. Ai ka mbërritur në spital i pajetë me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Krismat janë dëgjuar edhe nga banoret e Rrëshenit të cilët janë përfshirë në panik. Nuk dihen ende shkaqet e kësaj ngjarje por policia pritet të japë të dhënat e para në vazhdim.

Por kush është Armando Gjini?

Ai nuk është një personazh i panjohur për drejtësinë.

Një vit më parë në kuadër të një operacioni, Drejtoria e Departamentit të Policisë Kriminale në policinë e shtetit, doli në një konferencë për shtyp bashkë me Kryeprokuroren për Krime të Rënda Elisabeta Imeraj, ku njoftuan se, ishte goditur një grup i strukturuar kriminal që operonte në disa shtete për trafikimin e drogave, duke arrestuar disa shtetas, mes tyre dhe viktimën e ditës së sotme, Armando Gjini.

Gjini ishte arrestuar në kuadër të operacionit ‘Precizioni’ së bashku me 37 persona të tjerë me akuzën e “trafikut të drogës” dhe “grupit të strukturuar kriminal“.

Më pas ai ishte lënë i lirë. Në muajin Maj të këtij viti, Armando Gjinit i kishin vendosur një sasi eksplozivi poshtë makinës së tij tip Benz.

Ngjarja ishte regjistruar sërish në Rrëshen.

Tre muaj më parë, viktima po transportonte fëmijët në shkollë, pa e ditur se poshtë automjetit i ishte vendosur lëndë eksplozive.

Tritoli shpërtheu kur makina ishte e parkuar. Nga ngjarja pati vetëm dëme materiale dhe asnjë të lënduar.

Viktima e sotme njihej si “ushtar” i Met Kananit, baronit të drogës, përgjegjës për shkëmbimin e kanabisit nga Shqipëria me heroinë nga Turqia./abcnews.al