Ndërsa PD refuzoi regjistrimin në zgjedhjet lokale të 13 tetorit, Kryedemokrati Basha ka kërkuar nga Mallakastra mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vendore në të njëjtën ditë.
Gjatë një takimi me strukturat e PD në Mallakastër, Basha tha se beteja e opozitës ka nisur me një qëllim, që t’u rikthejë shqiptarëve të drejtën e dhunuar të votës së lirë.
“Kjo betejë ka për të përfunduar me një rezultat, largimin e Edi Ramës, zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore në të njëjtën ditë”, ka theksuar kreu i opozitës në Mallakastër.
Më tej, Basha është shprehur se nëse nuk i hapet rrugë zgjidhjes politike përmes një qeverie tranzitore që do të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, atëhere popullit sovran i lind e drejta ta marrë në dorën e vet zgjidhjen, me të gjitha format, mjetet dhe mënyrat që i gjykon të përshtatshme për të rivendosur demokracinë dhe drejtësinë.
Kreu demokrat ka deklaruar gjithashtu se kapja me dhunë, thyerja e dyerve, uzurpimi i selive të pushtetit vendor nga bandat e Edi Ramës është e paligjshme dhe kriminale.
“Një nga gjërat e para që do të bëjë qeveria e re, e dalë me votë të lirë është që gjithsecili që ka shkelur ligjin dhe është kthyer në vegël të verbër të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi ligjore. Asnjëri prej tyre nuk do të harrohet, që nga ky i Mallakastrës, deri tek Edi Rama”, është shrehur kreu i PD, teksa ka paralajmëruar se kushdo që ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin pas dekretit të 10 qershorit do të ndëshkohet./ABC News Albania 24/7