Autoritetet rajonale në Valencia të Spanjës urdhëruan evakuimin e komunitetit të Gatovës, pas shpërthimit të një zjarri të fuqishëm në pyje, i cili dyshohet se u shkaktua nga rrufeja.
Qindra banorë morën një alarm urgjent në telefonat e tyre celularë, me udhëzimin për t’u larguar menjëherë nga zona dhe për t’u drejtuar në jug.
Gatova ka rreth 450 banorë të përhershëm, por gjatë muajve të verës popullsia e komunitetit rritet ndjeshëm, sipas transmetuesit publik spanjoll RTVE. Pamjet televizive treguan flakët që ishin afruar pranë banesave.
Zjarri shpërtheu të enjten në mbrëmje në zonën e Parkut Kombëtar Sierra Calderona dhe, sipas raportimeve, dyshohet se u shkaktua nga një goditje rrufeje.
Forca të shumta zjarrfikëse, së bashku me njësi ushtarake, u angazhuan në terren për të kufizuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonat e banuara.
Zjarret pyjore kanë shkaktuar dëme të mëdha në Spanjë këtë vit. Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), më shumë se 2.97 milionë hektarë janë djegur në 425 zjarre pyjore të regjistruara në vend.



