Presidenti i Real Madrid nuk dorëzohet për të transferuar në Spanjë sulmuesin brazilian Nejmar. Madrilenët i ofrojnë yllit të Psg 40 mln euro në sezon
Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez dëshiron ti bëjë një tjetër dhuratë trajnerit Zinedin Zidane në merkaton e transferimeve. Ëndrra e madrilenëve është Neymar. Perez po mendon për një ofertë prej 130 mln euro plus shërbimet e mesfushorit Luka Modriç. Paris Saint Germain preferojnë ta dërgojnë brazilianin tek reali edhe pse lojtari kërkon rikthimin në Barcelona. Raportet mes katalanasve dhe parisienëve janë në pikën më kritike. Mediat spanjolle raportojnë se Perez i ka ofruar Neymarit një page prej 40 mln euro në sezon.
Skuadra e Interit ka arritur marrëveshjen me Bayern Mynih për huazimin me të drejtë blerje për sulmuesin Ivan Perisiç. Kroati do të bëhet pjesë e bavarezëve për 5 mln euro ndërkohë që Bayerni ka të drejtën e blerjes përfundimtare sezonin e ardhshëm. Konte nuk e ka grumbulluar futbollistin ballkanas për ndeshjen miqësore ndaj Valencias pasi futbollisti është shumë pranë rikthimit në kampionatin gjerman.
Largimi i Manolas nga skuadra e Romës ka lënë pas një boshllëk dhe drejtuesit e klubit verdhë e kuq kanë piketuar mbrojtësin e Liverpool Lovren. The reds pretendojnë 20 mln euro për shërbimet e mbrojtësit kroat, shifër e përballueshme për arkat e skuadrës italiane. Për mbrojtësin në fjalë interesohej edhe skuadra e Milanit por kuqezinjtë e konsideruan të lartë shifrën e kërkuar nga skuadra angleze./ABC News Albania 24/7