Pas masakrave të fundjavës së kaluar, që morën jetët e mbi 30 personave, presidenti Donald Trump ka deklaruar se po zhvillon bisedime me palët e interesuara për kontrollin e armëve. Por më shumë se sa kontrollin e armëve, Trump duket se mbështet vetëm kontrollin e personave që i zotërojnë ato.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar të premten se po zhvillon bisedime serioze me liderët politikë, për të krijuar bazat e duhura për një legjislacion për kontrollin e poseduesve të armëve.
Reagimi i tij i radhës ka ardhur kur po bëhet një javë nga masakrat e El Pasos dhe Dejtonit, që morën disa dhjetëra jetë njerëzish. Në profilin e tij në Tëitter, Trump ka bërë me dije se ka zhvilluar bisedime edhe me Shoqatën Kombëtare të Armëve, në mënyrë që edhe rekomandimet e saj të merren parasysh në negociata.
Megjithatë, në reagimin e tij, presidenti amerikan nuk ka saktësuar se cilat janë hapat që do të mbështesë ai në këtë drejtim, në një kohë kur dihet që shoqata kombëtare e armëve, NRA, kundërshton ashpër kontrollet. Nga ana tjetër, demokratët kërkojnë që të mblidhet Senati dhe të fusë menjëherë në fuqi legjislacionin për kontrollin e armëve.
Por për Trump më i rëndësishëm është kontrolli i personave që posedojnë armë e jo më kot ai ka thënë se, vetëm njerëzit me çrregullime mendore nuk duhet t’i mbajnë ato. Debati për kontrollin e armëve u rikthye në qendër të vëmendjes pas masakrave të fundjavës së kaluar në El Paso dhe Dejton, ku mbetën të vrarë mbi 30 persona./ABC News Albania 24/7