Familjarët dhe përfaqësuesit e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë shprehen të zhgënjyer me qendrimin e Qeverisë së Kosovës, karshi zbardhjes së fatit të më të dashurve të tyre. Ata thonë se dakordësimi për të pagjeturit në Ohër, nuk do të sjellë rezultate dhe kjo çështje do të vazhdojë të mbetet e pazgjidhur edhe për një kohë të gjatë.
Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini deklaroi se Qeveria e udhehequr nga Albin Kurti, nuk po merret seriozisht me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Ne presim që 24 vite besoj se do të shkojnë edhe shumë gjenerata e nuk do të rregullohet çështja e personave të pagjetur. Marrëveshja nëse duan ndërkombëtarët, kemi një lloj shprese se do të zbatohet, a nëse presim të zbatojë Vuçiç atë, le ta harrojë edhe Andini, le të harrojë edhe kryeministri, edhe zëvendëskryeministri, edhe çdo shqiptar që është në Kosovë, le të harrojë se Vuçiç nuk do ta zbardhë fatin e të pagjeturve sa të është në atë post.Mjerisht aspak të kënaqur, nuk jemi aspak, nuk jemi të kënaqur me Komisionin, e ka kapluar puna më të madhe politike, e këta e kanë lënë vetëm kur iu duhet të flet diçka për personat e pagjetur, asnjë gjë konkrete nuk kanë bërë”, tha Çerkini.
Kryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, Ahmet Grajqevci shprehet skeptik për marrëveshjen dhe se sa shumë do zbatohet nga Beogradi.
“Problem ka qenë që me Serbinë të merremi vesh rreth çështjes së personave të zhdukur, sepse çdoherë e ka bërë çështje politike, asnjëherë humane dhe prej më të këqijave është nxjerrë nga projekti, është nxjerr ky ankes që për ne do të thotë se është prej më të këqijave, më e mira që mundemi. Shpresoj se tashmë pasi është veç ky projekt, besoj që trysnia ka me qenë më e madhe për të dyja palët. Ne jemi skeptik deri në fund, derisa ta shohim se problemi po zgjidhet, sepse Serbia nuk është bashkëpunues e mirë rreth këtyre çështjeve, ne do të bëjmë presion edhe mbi Qeverinë tonë, por edhe institucionet ndërkombëtare, që kjo çështje patjetër duhet të hyjë në proces dhe zgjidhja të bëhet sa më shpejt që është e mundur. Ky afati 12 muajsh duhet të hyjë gjithsesi në proces, patjetër duhet të hyjë, sepse nëse nuk hynë nuk ka zgjidhje”, theksoi Grajqevci.
Mirëpo, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se çështja e të pagjeturve mbetet te prioritetet e qeverisë.
“”Sot si institucione të Republikës, të shtetit me përgjegjësi dhe si qytetarë të shtetit me vetëdije, ne bëhemi bashkë që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm të fëmijëve që nuk kanë lindur ende të mos kalojnë nëpër këto vuajtje, humbje që kaluam ne, por të njëjtën kohë, të kenë edhe të ardhme të ndritshme në një Kosovë, rajon e Evropë, e cila është e lirë, e bashkuar dhe e mbrojtur nga çfarëdo agresioni”, është shprehur Kurti.
Pika katër e ankesit të zbatimit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dakordësuar më 18 mars 2023, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçic, gjatë takimit në Ohër, thotë se palët dakordësohen të miratojnë si çështje me urgjencë Deklaratën për Personat e Zhdukur./abcnews.al