Jasmina 20 vjeçare vuan me leucemi akute. Për të kryer transplantin kërkohet një shumë e konsiderueshme parash. Babai i saj, Emin Neziraj, i cili është pedagog në Pejë, rrëfeu për emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” dhimbjen që po përjeton për të bijën e cila vuan nga kjo sëmundje e rëndë.
“Allahu deshi të më sprovojë”, thotë ai mes lotësh. E motra e Jasminës tha se shpreson që do ta kalojë këtë periudhë të vështirë. “Kam shpresa të mëdha se ajo pas një kohe ka me qenë vetëm një ëndërr e keqe dhe kemi me folur me fëmijët tanë për historinë e saj”, tha e motra.
Babai i saj ishte i ftuar në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në Abc News, ku theksoi se është gjetur një donator qelizash për të bijën. Bëhet fjalë për një shtetas turk, qelizat e të cilit përputhen me ato të bijës. Profesori nga Peja shprehu mirënjohjen për ndihmën e dhënë nga shqiptarët.
“I është gjetur donatori i qelizave ëmë dhe është një shtetas turk. Do të thotë që qelizat e tij përputhen 97 për qind me ato të Jasminës. Në emër të zotit, Jasmina do të fitojë një vëlla binjak. Në të vërtetë, ishte një shok duke ditur se ne nuk dimë aq shumë për sëmundjet kancerogjene. Me të kuptuar se vuan nga leucemia akute, që është shumë e shpejtë dhe nëse nuk trajtohet menjëherë, jetëgjatësia është 3 deri në 6 muaj. Shumë shpejt keni zënë sëmundjen por sfida më e madhe ka qenë grumbullimi i mjeteve.
Kemi shpresë, asnjëherë nuk do ta humbasim shpresën por ajo që më bën përshtypje të madhe, se në rastin e Jasminës por edhe në të tjera shikoj një humanitet të madh mes shqiptarëve. Në Pejë flitet se ne shqiptarët jemi human por na mungon besimi. Por në rastin e Jasminës e kemi pasur besimin të plotë.”, tha ai./abcnews.al