Tufat e flokëve të Beethoven zbulojnë shkaqet e mundshme të vdekjes së tij

schedule13:12 - 23 Mars, 2023

schedule 13:12 - 23 Mars, 2023

Në 1802, Ludwig van Beethoven shkroi një letër për vëllezërit e motrat e tij, duke e përshkruar shurdhimin e tij si një tragjedi që  dëshironte të vdiste. Edhe pse ai vazhdoi punën e tij edhe për 25 vjet të tjera, ai iu lut atyre që të hulumtonin humbjen e dëgjimit.

Dy shekuj më vonë dhe për herë të parë, një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh deshifruan ADN- në e tij, siç kishte kërkuar nga tufat e flokëve, duke kërkuar shkaqet e vdekjes dhe problemet shëndetësore që kishte. Nga provat që dolën, u zbulua se kompozitori i madh kishte një predispozicion për sëmundje të mëlçisë dhe ishte i infektuar me hepatit B. Kjo, e kombinuar me konsumimin e alkoolit, mund të ketë çuar në vdekjen e tij.

Shumë biografë deri më sot kanë debatuar se çfarë e shkaktoi vdekjen e tij në moshën 56-vjeçare, por asnjë kërkim gjenetik nuk është bërë. Duke studiuar gjenomin e tij, ata nuk arritën dot në shkaqe specifike, por ajo që del në dritë është me interes të veçantë. Hulumtimi, i botuar në Current Biology, u mbështet në pesë tufa të flokëve të tij, të gjitha nga shtatë vitet e fundit të jetës së tij, të cilat shkencëtarët thonë se janë “pothuajse me siguri autentike”.

Ekipi i studiuesve përfshinte Universitetin e Kembrixhit, Shoqërinë Amerikane të Beethovenit, Qendrën Beethoven të Universitetit të San Jose, Universitetin Katolik të Leuven, Spitalin Universitar të Bonit, Universitetin e Bonit, kompaninë e testimit gjenetik “FamilyTreeDNA”. Muzeu Beethoven në Bon dhe Instituti Max Planck për Antropologjinë Evolucionare.

Ekipi i shkencëtarëve nuk mundi të gjente shkaqet e sakta për shurdhimin ose problemet gastrointestinale të kompozitorit gjerman. Megjithatë, ata zbuluan një numër të konsiderueshëm faktorësh të rrezikut gjenetik për sëmundjen e mëlçisë. Ata gjetën gjithashtu prova të infeksionit me hepatit B në muajt para sëmundjes që i dha fund jetës.

Ekipi kreu teste të autenticitetit në tetë mostra flokësh të marra nga koleksione publike dhe private në Evropë dhe SHBA. Siç doli pas këtij procesi, të paktën dy nga tufat nuk vinin nga Beethoven, duke përfshirë një tufë të famshme që dikur mendohej se ishte prerë nga koka e kompozitorit nga muzikanti 15-vjeçar Ferdinand Hiller.

Analizat e viteve të mëparshme të tufës “Hiller” kishin mbështetur hipotezën se Bethoven ishte helmuar nga plumbi, por tani është konstatuar se tufa i përkiste një gruaje.

Nga mostrat, pesë u identifikuan si autentike. Një nga qëllimet e para të hulumtimit ishte zbulimi i problemeve shëndetësore të Beethoven, si humbja graduale e dëgjimit. Ekipi hetoi gjithashtu shkaqet e mundshme gjenetike të problemeve të tij kronike gastrointestinale dhe një sëmundje të rëndë të mëlçisë që u përkeqësua me vdekjen e tij në 1827.

Studiuesit arrijnë në përfundimin se infeksioni i hepatitit B i Beethoven mund të ketë shkaktuar sëmundje të rëndë të mëlçisë së kompozitorit, të përkeqësuar nga konsumimi i alkoolit dhe rreziku gjenetik. Autori kryesor, Tristan Begg nga Universiteti i Kembrixhit, thotë: “Ne mund të supozojmë nga ‘librat e bisedës’ të Beethoven, të cilat ai i përdori në dekadën e fundit të jetës së tij, se ai konsumonte alkool shumë shpesh, megjithëse është e vështirë të vlerësohet se si shumë“.

“Nëse konsumimi i alkoolit ishte mjaft i rëndë për një kohë mjaft të gjatë, ndërveprimi me faktorët e rrezikut gjenetik është një shpjegim i mundshëm për cirrozën e tij”.

Hetuesit me provat që kanë në dispozicion, nuk mund të thonë me siguri se çfarë është ajo që “vrau” kompozitorin e muzikës. Por ata mund të konfirmojnë se ekzistonte rreziku i trashëgimisë dhe infeksionit të hepatitit B në rastin e tij, duke përjashtuar shkaqe të tjera gjenetike më pak të mundshme.

Së fundi, ekipi analizoi gjenomet e pesë prej të afërmve të tij të gjallë që jetojnë në Belgjikë. Ata kanë të njëjtin mbiemër dhe kanë një gjenealogji të përbashkët, por nuk është gjetur asnjë lidhje mes tyre./abcnews.al