Berisha “pa parti”, Frrok Çupi: E dinte përfundimin që kur u shpall “non grata”

schedule18:36 - 20 Mars, 2023

schedule 18:36 - 20 Mars, 2023

Analisti Frrok Çupi deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha e dinte se nuk do mund ta merrte drejtimin e Partisë Demokratike, që kur u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në maj të vitit 2021.

Në një intervistë për ABC News, Çupi u shpreh se që kur u etiketua si minues i demokracisë, ishte e ditur se Berisha, por edhe Meta e zyrtarë të tjerë, do të ndodheshin në situatën e tanishme politike.

Kjo sipas Çupit, detyroi Berishën që të bënte një koalicion me Metën.

“Këta e kanë ditur që prej fillimit se do të përfundojë në këtë pikë. Nga e kanë ditur? Këtu qendron e gjitha. Këta  e kanë ditur që në maj të vitit 2021, kur Berisha u shpall “non grata. Jo thjesht “non grata”, por u etiketua si minues i demokracisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U kuptua se jo vetëm Berisha, por një tufë e tërë njerëz të dëmshëm, zyrtarë të dëmshëm në Shqipëri do të shkonin në këtë rrugë.

Ilir Meta qysh atëherë ka parë veten. Nëse e mbani mend, ai kishte periudha paniku, periudha krizash, i bëhej sikur e vrisnin te mali me gropa. Përfundimisht, e përshkallëzuan aktivitetin e tyre. Ata njihnin veten, nuk njihnin Amerikën, nuk njihnin demokracinë në Shqipëri, por çfarë kanë shkaktuar”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!