TIRANË- Ditën e shtunë në Ohër do të mbahet takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Por sa mbështetet ky takim nga partitë në Kosovë, dhe konkretisht nga ana e LDK-së?
Nënkryetari i kësaj partie Lutfi Haziri tha në “Balkan Update” në ABC News se dialogu duhet të vazhdojë. Ai u shpreh kritik ndaj qëndrimeve të Albin Kurtit, ndërsa shtoi se marrëveshja për LDK-në nuk i ka përmbushur pritjet pasi ka tejkaluar pikat e marrëveshjes së vitit 2013.
“Rezultati i Ohrit është nën një presion të faktorit ndërkombëtar, por edhe tek popujve tanë. LDK e ka qëndrimin e qartë dhe është i zbardhur. Dialogu nuk ka opsion, duhet të zhvillohet dhe palët duhet të jenë pragmatiste. Ne kemi kërkuar të mos këtë zmbrapsje nga qëllimi kryesor e që është me çdo kusht njohja e ndërsjellë, që të insistohet që ka njohje dhe që ka impakt më të gjerë dhe i mbyll plagët. Elefanti në dhomë është asocacioni i komunave. Për ne marrëveshja nuk i ka sjellë pritjet dhe ka katër probleme, dhe si e tillë nuk e meriton mbështetjen e LDK. Kryeministri i Kosovës duhet të punojë për një dialog të brendshëm”, tha ai.
Ai theksoi se kreu i qeverisë së Kosovës duhet të jetë kreativ dhe të bëjë propozime, të cilat e ruajnë karakterin e organizmit kushtetues të Kosovës. Me gjithë rezervat që ka në këtë proces, Haziri uron që takimi i Ohrit, që mbahet të shtunën, të jetë një sukses i madh jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.
“Ohri nuk duhet të dështojë. Frika e të gjithëve është se do të komplikohet pasi statusi i asocacionit ka shkuar përtej marrëveshjes se 2013. Kryeministri është në një situatë të vështirë, sepse duhet të jetë kreativ, dhe duhet të bëjë propozime, e cila e ruan karakterin e organizimin kushtetues të Kosovës dhe jep siguri për normalizim të brendshëm, sepse jemi para mbajtjes së zgjedhjeve të komunave serbe ne veri dhe është shkaktuar një vakum institucional atje. Rezultat do të ishte nëse palët dakordohen me vazhduar bisedimet për miratimin e aneks-dokumetit, i cili do të sjellë një prej 15 modeleve evropiane të organizmit të asocacionit në Kosovë. Uroj që Ohri të jetë sukses i madh për të gjithë rajonin”, tha Haziri./n.m.abcnews.al