Patatja e nxehtë e krizës politike të 30 qershorit, ngeli në dorën e KQZ, anëtarët e të cilit u vendosën nën akuza publike, si dhe u morën në mbrojtje fizike nga forca speciale policore. Por a pati presion politik ndaj tyre, dhe a u rrezikuan ata fizikisht? Trupa e KQZ-së rrëfehet për ABC News dhe bën bilancin e këtyre zgjedhjeve të pazakonta. Ndiqni materialin nga Esiona Konomi.
Në 30 Qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk përgatiti një palë zgjedhje normale. Me mazhorancën dhe ndërkombëtarët në një anë që kërkonin mbajtjen e votimeve, dhe me opozitën protestuese e presidentin në anën tjetër që nuk njihnin zgjedhjet, 5 anëtarët e KQZ-së, ishin në pozitat më të pazakonta ndonjëherë.
Denar Biba: “Nuk e mendoja kështu, realisht, dukshëm nuk e mendoja kështu. Aryeja më thoshte që maturia e klasës politike shqiptare do të gjente një zgjidhje, sepse jam i bindur se ajo që ndodh realisht në zgjedhje, është peng ose produkt i maturisë apo mungesës së maturisë së klasës politike”.
Rezarta Bitri: “Sigurisht që nuk isha komode, pasi ishte një 30 qershor atipik. Që nuk ndiqi rendin dhe historikun e zakonshëm të një palë zgjedhjesh, të një procesi që kemi të gjithë pritshmëritë në një rend demokratik dhe shtet të së drejtës. Pretendoja një 30 Qershor gjithëpërfshirës. Mungesa e opozitës krijonte vakuumin dhe pasiguritë e veta”.
Bledar Skënderi: “Në zgjedhje normale duket sikur nuk ka shumë konflikte dhe sikur palët janë në kampin e vetë, dhe ditën e zgjedhjeve, gjatë votimit dhe numërimit, dy kampet përplasen në ato momente. Këto zgjedhje patën një dinamikë tjetër, që u përplasën edhe në periudhën parazgjedhore, por dita e votimit dhe procesi i numërimit ka qenë ndër më të qetat ndonjëherë.”
Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri u rreshtua në kampin opozitar, duke mos njohur 30 Qershorin, por, ai nuk e braktisi zyrën, sic ju kërkua. Me këtë verprim, Zguri humbi mbështetjen e partive opozitare, e bashkë me të, edhe pushtetin brenda institucionit, ku ishte vetëm titullar, por jo drejtues.
Zguri, i cili prej 22 vitesh është anëtar i KQZ, vendosi të ndërpresë dhe komunikimet specifike me median. Ai nuk pranoi të bënte bilancin e këtyre zgjedhjeve për mikrofonin e ABC News.
Për nënkryetarin e KQZ-së, Denar Biba këto zgjedhje ishin më të vështirat.
Denar Biba: “Në demokracinë tonë surrogato, këto ishim një palë zgjedhje, rezultati i të cilave dihej, dhe kjo është më së paku, e trishtë, më së paku”.
Rezarta Bitri është anëtarja më e re e komisionit, dhe për herë të parë mori pjesë në përgatitjen e një palë zgjedhjesh.
Denar Biba: “Kolegia, Rezarta, ishte rishtare në KQZ, dhe unë i thashë, Rezi ke ardhur më këmbën e mbarë, sepse zgjedhje vendore, do të kalojnë në paqe, dhe është deri diku, edhe një lloj fati që ta mësosh punën ndalëngadalë dhe ë mos pagëzohesh menjeherë me zjarrin. Me sa duket isha gabim, isha rëndë gabim. Duhet ta pranojmë, me një mungesë dëshire në fakt, jo dhimbjeje, që ishin zgjedhjet më të vështira që kishim kaluar ndonjëherë, dhe që i kaluam me të gjithë kolegët.”
Rezarta Bitri: “Kur Kuvendi më zgjodhi e ndjeva veten me fat, sepse viti që pasonte do të ishte një vit zgjedhor dhe do të kisha një eksperiencë të parë të shpejtë. Do të përfshihesha aktivisht në një proces organizimi zgjedhor si anëtare e KQZ. Në momentin që nuk gjej të përfaqësuar të gjithë grupimet dhe gjithë vullnetin e popullit në fund, kjo më bëri të mos isha tërësisht komode.”
Zyra e anëtarit Bledar Skënderi ka qenë epiqendra e KQZ-së në këto zgjedhje: për institucionin që ndahej mes kryetarit dhe shumicës së anëtarëve si dhe për median që kërkonte të sqaronte situatat. Ai u quajt shpesh si kryetari ne hije i ketyre zgjedhjeve.
Bledar Skënderi: “Mendoj që e njoh procesin zgjedhor se janë zgjedhjet e 7-ta që përfshihem në mënyrë aktive. Kam qenë në të gjitha pozicionet gjatë procesit zgjedhor: kam qenë komisioner në qendër votimi, anëtar KZAZ-së, numërues, drejtues në disa zona e tani jam anëtar i KQZ. Janë zgjedhjet e dyta që përfshihem në tavolinën e KQZ.”
Drilona Hoxhaj është zëdhënësja e KQZ-së, për të 4-tat zgjedhje radhazi. Për herë të parë, ajo doli në një konferencë shtypi në emër të shumicës së anëtaëve të KQZ, dhe menjëherë pas saj, kryetari Klement Zguri doli para medias për ta përgënjeshtruar.
Drilona Hoxhaj: “Ishte e vështirë sepse ndodhesha në të paqartë dhe të tensionuar, por unë nuk kam mbajtur qëndrimet e mia. Unë kam mbajtur qëndrimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku anëtarët janë vendimmarrësit, kryetari ka votë, anëtarët e tjerë kanë votë. Ata i marrin vendimet.”
Anëtarët e KQZ-së u kërcënuan me burg nga opozita, u quajtën kamikazë e hajdutë.
Denar Biba: “Unë jam mësuar në fakt, dhe nuk do të doja ta thoja këtë, të mësohesh me të keqen. Në fund të fundit, banaliteti turpëron banalin dhe jo atë që i bie barra ta pastrojë nga rruga. Madje i kam sfiduar që atë kallëzimin e famshëm të shkonin më në fund ta bënin se po mërzitesha e do ulesha ta shkruaja vetë e t’jua jepja gati. ”
Rezarta Bitri: “Bëra një kompromis me veten për të qenë e ftohtë në atë cka dëgjoja dhe lexoja. Sigurisht që nuke shkëputa vëmendjen nga cfarë thuhej, pasi pozicioni ma kërkon që të jem në korrent edhe me pikëpamjet e ndryshme që qarkulluan.”
Bledar Skënderi: “Ka pasur një lloj presioni mediatik dhe publik. Në aspektin personal nuk kam pasur asnjë lloj mëdyshje ose presioni, po nuk mund të them që të afërmit dhe familjarët nuk e kanë ndjerë këtë lloj presioni së jashtmi”.
Zëdhënësja e një institucioni parimisht të pavarur, një javë pas zgjedhjeveve e pa fytyrën e saj në pankartat e protestuesve të opozitës, të cilët e tallnin për shifrat e pjesëmarrjes në votime.
Drilona Hoxhaj: “Sigurisht që nuk e ndjeva mirë kur pashë veten time në pankartat e protestuesve, por kjo nuk ka të bëjë me mua, por me faktin që isha zëri i vendimmarrjes së KQZ-së. U bëra meme, ç’ka më ktheu në qendër të vëmendjes, gjë që unë nuk e kam dëshiruar ndonjëherë.”
Por si u përjetua për familjarët e trupës së KQZ-së gjithë ky përqëndrim akuzash dhe sulmesh?
Bledar Skënderi: “Më tepër këtë pjesë e ka ndjerë familja, prindërit e mi që janë në moshë të madhe dhe që shqetësohen nga gjithë ky komunikim mediatik. Edhe vajzat ndonjëherë më pyesnin “O babi, pse do të fusin në burg”, por unë i kam mësuar që në burg shkojnë vetëm ata që shkelin ligjin dhe për sa kohë babi nuk e ka bërë këtë, nuk ka ndonjë arsye dhe nuk kam asnjë frikë.”
Denar Biba: “Të gjithë ishin shumë të qartë se ishin vetëm fjalë, brockulla. Një nënë që dëgjon një orë po një orë jo, një ditë po një ditë jo, që i biri do shkojë në burg, që po humb lirinë, ne do i bëjmë kallëzim, natyrisht nuk është e këndshme. Nuk është e këndshme për një bashkëshorte. Im bir gjithashtu po rritet dhe kupton. Kam tentuar t’i shpjegoj dhe atij që në fund të fundit për të atij mund të dëgjojë edhe fjalë të pakëndshme për të atin.”
Rezarta Bitri: “Vajzat janë në një moshë të tillë që kanë akse, më ndjekin. Unë kam biseduar me to me një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme për to. Ka qenë mbresëlënse sepse ato janë goca të forta, të palëkundura në modelin dhe imazhin për nënën e tyre dhe e kanë kaluar edhe ato paksa ftohtë, e jam e kënaqur. Bashkëshorti ka qenë një suport shumë i madh. Prindërit e mi në një moshë tëë caktuar, janë afektuar nga gjithcka u tha në fakt sëë tepërmi. ”
Bledar Skënderi: “Sa herë shkoja në shtëpi, vajza e madhe që mbaronte klasën e katërt më pyeste: Babi a ka zgjedhje në 30 qershor? Ndërsa tani më pyet: a ka zgjedhje në 13 tetor? I jam përgjigjur se nuk ka zgjedhje në këtë datë dhe e gjitha kjo vlen edhe për ju.”
Drilona Hoxhaj: “Jo, prindërit nuk ishin dhe aq sportivë, sidomos për fyerjet, ofendimet apo komentet në rrjetet sociale kur deklaratat transmetoheshin live. Vëllai tani ka filluar të mësohet që e motra edhe mund të përflitet, por të them të drejtën për prindërit ishte e vështirë, aq më tepër tani që janë të gjitëh në rrjetet sociale dhe shohin cdo gjë.”
Për shkak të tensionit të madh politik, anëtarët e KQZ-së u morën në mbrojtje speciale policore.
Bledar Skënderi: “Kam pasur detyra më të vështira se ajo e anëtarit të KQZ, kam qenë zv.drejtor i përgjithshëm i burgjeve që ka të bëjë me pjesën më problematike të shoqërisë. Asnjëherë nuk e kam pasur shqetësim personal idenë e sigurisë duke menduar që po të bësh punën dhe po të zbatosh ligjin, askush nuk të bie në qafë. Dhe kësaj radhe, fakti që ksiha nëj shoqërues nuk më ka privuar nga jeta normale private.”
Rezarta Bitri: “Në momentin e parë pati një imapkt. Çfarë po ndodh, vërtetë ka një situatë problematike, apo cfarë rrezikoj, që të jemi në terma më konkretë. Duke menduar që ke fëmijë, ke familje, domethënë gjëja implikohet pak më shumë. U konsultova, mora një informacion paraprak nëse ky ishte një moment protokollar, që aktivizohej në periudha zgjedhore.”
Denar Biba: “Seriozisht, në rastin më të keq nëse do të kishte ndonjë bojë apo diçka e tillë, këto janë fenomene normale. Nuk ka asnjë gjë të jashtëzakonshme. Nuk do të doja të ndodhte, uroj të mos ndodhë. Në asnjë lloj rrethane nuk të mbron dot dikush tjetër. Ne mbrojmë veten. Në thelb, ajo cka unë jam nuk mund të cenohet nga asnjë lloj goditje e jashtme.”
E kur e gjithë kjo ndodhte për faj të partive, e përplasej në fytyrën e tyre, a mendoi ndonjëri të thotë: Mjaft më, po e lë?
Drilona Hoxhaj: “Gjatë këtyre 6 viteve e gjysmë e kam menduar disa herë në periudha të ndryshme dhe jam zmbrapsur. Nuk mund ta them që nuk e kam menduar dhe në këto zgjedhje, por kam vendosur që të jem profesionaliste dhe emocionet e mia e ndjesitë private t’i lë në një plan të dytë. Nuk do isha profesioniste nëse do isha larguar në këto momente.”
Bledar Skënderi: “ Ka momente që njeriu pyet veten, pse duhet të ndodhem unë në një situatë të tillë, pa vullnetin tim, por kur bën një analizë të thellë të gjërave mendon që është klasa politike përgjegjëse për këtë lloj situate. Por pozicioni nuk lëshohet, mbahet gjithmonë me forcë, me kurajë për të bërë detyrën.”
Denar Biba: “Me shpresën që ky të jetë kulmi dhe pas kësaj të fillojë të bjerë gjëja dhe të mos kemi më kulme të tjera, që në një intervistë tjetër dikush të mos thotë që s’kishim parë gjë akoma.”
Rezarta Bitri: “Unë shpresoj të jetë e fundit një sprovë e tillë.”
Para mikrofonit askush nuk e pranon, por ku kamera fiket, të gjithë e dinë se do të jenë kurbanët e parë të një marrëveshjeje të mundshme Rama-Basha.
E duke pritur që kokat e tyre të priten sa më vonë, trupa e KQZ-së, për momentin po mendon të arratiset me pushime, për të shkundur ngarkesën e asaj që iku, e për të ardhur sërish në betejën e radhës./ABC News Albania 24/7