Asfaltohet rruga te Liqeni i Thatë, Veliaj: Së shpejti edhe dy shkolla, një 9-vjeçare dhe një gjimnaz për banorët e zonës

schedule14:32 - 15 Mars, 2023

schedule 14:32 - 15 Mars, 2023

Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve për asfaltimin e rrugëve te Liqeni i Thatë, u shpreh se po punohet edhe për urbanizimin e plotë të lagjes dhe nuk do ketë më nevojë t’i marrë shërbimet në Njësinë 5.

“Kjo është një njësi, e cila ka marrë formë të ndërmjetme mes ish Komunës Farkë, ku janë dhënë shumica e lejeve të këtyre pallateve – nuk jam këtu për t’i gjykuar – dhe Njësisë 5, ku jepen shumica e shërbimeve. Vërtet lejet janë dhënë nga ish Komuna e Farkës, por shumica e shërbimeve jepen te Njësia 5. Lagja 13 është krijuar për t’i dhënë një dimension tjetër një komuniteti të ri, ku edhe investimet, edhe shërbimet bëhen nga e njëjta njësi. Lagja 13 duhet të ketë edhe një super fushatë investimesh. Disa rrugë janë të menaxhueshme – rruga e Liqenit të Thatë, rruga “Eduart Mano”, janë disa segmente ku po punojmë, ndërkohë kemi filluar disa degëzime rreth Kopshtit Botanik dhe Kopshtit Zoologjik,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë dha edhe dy lajme të rëndësishme për banorët e kësaj zone:

“Kam dy lajme të jashtëzakonshme për njësinë! Sapo kemi miratuar fondin, për një shkollë 9-vjeçare te Liqeni i Thatë, në cep të Kopshtit Botanik, në një pronë shtet. Nuk dua të alarmohet askush, që do të prishim Kopshtin Botanik. Bëhet fjalë për ta ndërtuar në një pronë të Bashkisë së Tiranës dhe për t’i dhënë zonës një shkollë 9-vjeçare dhe një kopsht, që do të shërbejë për të gjitha nevojat e zonës, ashtu siç kemi bërë edhe në disa zona të tjera, ku shkollën 9-vjeçare e kemi integruar me kopshtet. Lajmi i dytë i mirë është se te zona e Parkut Olimpik do të kemi gjimnazin “Dritëro Agolli”, tha Veliaj.

Ai shtoi se po planifikohet edhe kthimi i një rruge me dy kalime për të çliruar trafikun në këtë zonë.

“Një lajm tjetër për zonën është se aksi i rrugës që shkon nga Liqeni i Thatë te Kopshti Zoologjik do të kthehet me dy kalime, që të sigurohemi që rrethrrotullimi i Kopshtit Zoologjik, edhe pse aty është bërë një parking për të çliruar trafikun, prapë ka shumë ngarkese, sidomos në kohën e pikut. Bëhet fjalë për orën 08:00 të mengjesit, kur të gjithë shkojnë në punë, kopshte, shkolla, çerdhe dhe Sigurisht, ora 5-7 pasdite, kur të gjithë kthehen në shtëpi. Duke e kthyer rrugën me dy kalime javën tjetër besoj se do bëjmë prapë një shkarkim të trafikut, duke përdorur edhe autostradën që del te Radisoni dhe pastaj përdor le të themi rrugën dytësore, apo dhe atë nga drejtimi i Kopshtit Zoologjik drejt Liqenit të Thatë,” nënvizoi Veliaj.