Detaje të reja kanë dalë në lidhje me arrestimin e efektivit të RENEA-s, Altin Morina, i cili ditën e djeshme u kap në makinën e tij me 113 mijë euro, 290 mijë lekë të reja dhe 80 paund.
Ka dyshime të forta se efektivi ka lidhej me grupin e të shumëkërkuarit, Ervis Martinaj.
Tetë ditë më parë, Morina është parë në praninë e një të afërmi të Ervis Martinajt ku dyshohet se e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.
Ky nuk është rasti i parë ku punonjës të policisë së shtetit shoqërohen me persona të inkriminuar. Kujtojmë këtu rastin e oficerit të operacionales Jeton Lami, i arrestuar për shpërdorim detyre, me akuzën se shoqëronte të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit të kaluar.
Zyrtarisht policia thotë se polici i Reneas u arrestua për tre vepra penale: pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe shpërdorim detyre. Mesditën e së martës Morina u kap duke lëvizur vetëm me një automjet audi në zonën e njohur si Kodra e Diellit./abcnews.al