Në “Maradona Stadium” për histori dhe lavdi, Napoli përballë Frankfurtit kërkon arritjen e madhe

schedule11:17 - 15 Mars, 2023

schedule 11:17 - 15 Mars, 2023

Nga Hergi Llupi

Mund të thuhet me plot gojë se ky është viti i Napolit, padyshim. Në pritje të festimit të trofeut të Serie A, i cili është gjithnjë e më shumë real, Napoli është duke synuar kualifikimin e parë historik në çerekfinalet e Champions League. Sotë në mbrëmje, në “Maradona Stadium”, Napoli futet në fushë përballë Frankfurtit për histori dhe lavdi. Në përballjen e parë në Gjermani, djemtë e Spallettit arritën një fitore tepër të rëndësishme me rezultatin 2-0. Pesha më e madhe u hoq atë nate, pasi të luash në Frankfurt nuk është e lehtë, me tifozerinë e “egër” gjermane. Sot, ata do të luajnë në shtëpi për të bërë atë që as Diego në kohën e tij nuk e bëri me këtë fanellë, madje atëherë nuk quhej as Champions League. Në Gjermani, skuadra napolitane tregoi muskujt me atë fitore dhe sot pritet të shkruhet historia për ta, pasi janë të vendosur për të hyrë në tetë ekipet më të mira të Evropës. Kjo lavdi do ta bëjë këtë sezon akoma edhe më të bukur për ta, një sezon që nuk do të jetë më një ëndërr, por një realitet i bukur.

Edhe pse janë shumë pranë kualifikimit, Spalletti e mban ekipin e tij me këmbë në tokë duke theksuar se asgjë nuk ka përfunduar dhe se rreziku është ende aty. Napoli iu përgjigj humbjes së dytë të sezonit në Serie A duke mundur me lehtësi Atalantën, duke rritur diferencën e tyre në ligë. Shumë vite pa arritur fitoren e Serie A, por sot janë shumë pranë, madje edhe akoma më pranë asaj që quhet historia për ta, të hyjnë në çerekfinalet e Champions League. Në pesë përballjet e fundit të Napolit, ata kanë humbur vetëm një, ajo humbje e befasishme ndaj Lazios me rezultatin 1-0. 4 përballjet e tjera janë sigurisht fitore. Të kaltërit e Spalletti kanë humbur vetëm dy ndeshje në ligë, ku të parën ua shkaktoi Interi. Nga ana tjetër, në pesë sfidat e fundit, Frankfurt ka siguruar vetëm 1 fitore, 2 humbje dhe 2 barazime.

Spalletti do të ketë si mungesë sot vetëm Raspadorin, mungesa e të cilit nuk ndjehet shumë. Nga ana tjetër, gjermanët do të bëjnë pa Dina Ebimbe, Lindstrom, Weing dhe lojtarin e tyre më të rëndësishëm, Kolo Muani.

Sot, kur përmendet Napoli, nuk mendon vetëm për faktin se janë në krye të Serie A me shumë pikë diferencë nga vendet e tjera, por menjëherë mendon për dyshen Kvaratskhelia-Osimhen. Sigurisht që i gjithë ekipi është tepër i rëndësishëm këtë sezon, por kur veçon Kvaratskhelian dhe zbërthen sezonin e tij, mbetesh i mahnitur. Gjeorgjiani është kryefjala jo vetëm e Italisë, por e të gjithë Evropës. I thërritur ndryshe me nofkën Kvaradona, një bashkim mbiemrash me Maradonën dhe jo më kot, gjeorgjiani është duke mahnitur një sport të tërë. Përveç performancës të jashtëzakonshme në fushë, me driblimet dhe teknikën e tij, Kvara spikat edhe për statistikat e tij personale. Për këtë sezon, në 28 ndeshje të luajtura në total për Napolin, Kvara ka shënuar 13 gola dhe ka asistuar 18 të tillë, shifra fantastike. Vlera në treg i është rritur me ritëm të frikshëm, ku sot De Laurentiis e vlerëson të paktën 100 milionë euro.

Osimhen, e si mund të harrohet sulmuesi nigerian i cili nuk ka të ndalur me golat e tij. Sezoni i tij me Napolin ishte modest, 10 gola dhe 3 asistime në 30 ndeshje. Në sezonin e dytë, Victor Osimhen hodhi rrënjët e tij në Itali. Në 32 ndeshje në total të luajtura, nigeriani shënoi 18 gola dhe asistoi 6 herë. Por, sot që flasim, bomberi nigerian është tepër i frikshëm. 27 ndeshje të luajtura në total deri më tani, dhe Osimhen ka arritur të shënojë 21 gola dhe ka asistuar 5 herë. Pra, Kvaratskhelia dhe Osimhen, të dy së bashku, kanë shënuar këtë sezon 34 gola dhe kanë asistuar 23 herë.

Duke arritur në përfundim, Napoli shihet favorit sot në përballje ndaj Frankfurtit, dhe sigurisht skuadra italiane do të bëjë gjithçka, do të luajë të gjitha kartat e saj për të bërë historinë personale dhe të marrë pjesë në çerekfinalet e këtij kompeticioni të jashtëzakonshëm për klubet evropiane.

Frankfurt duhe të tregohet i qetë, pasi edhe vetë trajneri i tyre e theksoi se për të përballuar Napolin, duhet qetësia sepse italianët janë agresivë në kundërsulme. Por, pa Kolo Muani dhe me dyshen e mbrojtes Napolitane Rrahmani-Kim përballë, gjermanët do ta kenë të vështirë të provojnë të shënojnë./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!