Debate publike te Bayern, Rumenige kritikon Kovaç

schedule13:45 - 31 Korrik, 2019

schedule 13:45 - 31 Korrik, 2019

Bajerni fitoi thellë ndaj Fenerbahçes në Kupën AUDI, por atmosfera në klubin gjerman u dëmtua jo pak nga kritikat e shefit Rumenige ndaj trajnerit Niko Kovaç.

U duk se ishte mbrëmja për të festuar, veçse qetësi nuk pati.

Tifozët në “Alianc Arena” më në fund u kënaqën me një fitore të madhe, 6-1 ndaj Fenerbahçes, në gjysmëfinalen e Kupës Audi në Mynih, veçse problemet filluan më pas.

Shefi ekzekutiv i klubit, Karl-Hajnc Rumenige, kritikoi botërisht trajnerin Niko Kovaç, për fjalët që kishte thënë për transferimin e mundshëm të Leroi Sanesë nga Mançester Siti.

“Nuk më pëlqeu aspak intervista e tij,  tha Rumenige, një trajner nuk mund të deklarojë ashtu në publik, për një lojtar që i përket një klubi tjetër. Duhet të kemi respekt. Mendimi im nuk është sekret, ia kam thënë trajnerit”.

Kovaç ishte shprehur përpara ndeshjeve të Kupës AUDI se Sane ishte lojtari i ëndërruar prej tij, dhe se ishte optimist se Bajerni do të arrinte ta merrte nga Siti.

Një kritikë është gjithnjë normale, nëse nuk bëhet me tendencë, kjo dihet.

Nuk është aspak normale, veçse, kur kritika e një shefi klubi ndaj trajnerit të tij bëhet në publik.

Nëse Kovaç gaboi për Sanenë, legjenda Rumenige u shfaq edhe më keq.

E gjithë kjo histori e familjes që doli në “pazar” rikujtoi fundin e sezonit të kaluar, kur mediat gjermane komentuan për “luftë civile” tek Bajerni, me shefin ekzekutiv Rumenige që nuk donte ta mbante Kovaçin si trajner, dhe me presidentin Uli Hënes që “votoi” për kroatin.

Për momentin, duket se gjendja do të mbetet e qetë.

Pas kritikave të Rumeniges, Kovaç u shpreh se kishte gabuar, se i kishte kërkuar falje Pep Guardiolës duke e marrë në telefon, dhe po ashtu i kërkoi falje hapur Mançester Sitit.

Gjithsesi, debatet në publik thjesht krijuan një përshtypje të keqe për atë që po ndodh tek Bajerni.

Fitorja 6-1 ndaj Fenerbahçes në Kupën AUDI ishte shumë e mirë, por vështirë se mjafton për të dhënë siguri.

Bavarezët nuk po munden të përforcohen, dhe Rumenige pohoi i dëshpëruar se “transferimet janë bërë shumë të shtrenjta dhe të vështira”.

Një tjetër minus, që mund të ndikojë në sezonin e kampionëve të Gjermanisë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!