Në një intervistë për austriaken “Der Standard”, komisioneri për zgjerim në Bashkimin Europian, Johanes Hahn është shprehur qartë se vendi ynë është ende prapa për sa i përket hapjes së negociatave. Kjo pasi sipas tij qeveria e kryeministrit Rama ka problem me dialogun.
Komisioneri për Zgjerim në BE, Johannes Hahn, në një intervistë për gazetën austriake”Der Standard”, flet për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ka lavdëruar qeverinë në Shkup, e për sa I përket hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, Hahn shprehet qartë se Shqipëria është pas Maqedonisë së Veriut.
Ai theksoi se dhe pse po punohet ende që të dyja vendet të nisin negociatat, nuk është sekret se vlerësimi për Maqedoninë e Veriut mes vendeve anëtare është më i mirë.
“Të dy vendet kanë përmbushur kriteret e kërkuara nga shtetet anëtare të BE si një kusht”, vijon ai. “Kjo është arsyeja se përse kemi bërë një rekomandim pozitiv. Por Maqedonia e Veriut jo vetëm ka arritur reformat e kërkuara, por ka nënshkruar edhe marrëveshjen historike të Prespës dhe gjithashtu një traktat miqësie me Bullgarinë”.
Për sa i përket vendit tonë Hahn vë në dukje se në plan të parë janë problemet, kjo pasi opozita nuk është në parlament, qeveria ka vështirësi për të udhëhequr dialogun dhe aktualisht ka një procedurë për shkarkimin e Presidentit. Hahn tha se reforma në drejtësi ishte një nga kriteret kryesore për vlerësimin e progresit të Shqipërisë.
Në intervistë, Hahn thotë se një ndër kundërshtarët e zgjerimit, Franca, ka nisur të ndryshojë retorikën e saj. Megjithatë ai thotë se shpreson që Franca të ndryshojë edhe qëndrimin, përveç retorikës./ABC News Albania 24/7