Dështon nisja e procesit gjyqësor për 613 kg kokainë

schedule14:56 - 29 Korrik, 2019

schedule 14:56 - 29 Korrik, 2019

Gjykata për Krime të Rënda ka shtyrë gjyqin e themelit për tre të pandehurit Arbër Çekaj, Armando Pezaku dhe Donaldo Lushaj. Për 613 kilogramë kokainë të kapura në Maminas vitin e kaluar pritet që Gjykata për Krime të Rënda të shprehet në Shtator nëse kjo çështje do kalojë për gjykim apo do të pushohen hetimet.

Shkak për shtyrjen është bërë fakti që pranë kësaj gjykate nuk ka mbërritur letërporosia nga Gjermania me  përgjigjen e Arbër Çekajt, nëse ai dëshiron që procesi gjyqësor të zhvillohet në mungesë të tij apo do të jetë vetë i pranishëm.

Kryesuesja e seancës Danjela Shirka relatoi në sallë se pronari i kompanisë “Arbi Garden” është i paraburgosur në Gjermani, ku po zhvillon betejën ligjore për të përfituar statusin e azilantit në këtë shtet.

Gjithashtu në sallë mungonin edhe avokatët e Armando Pezakut, Ardjan Visha dhe Arben Prenga, mungesë për të cilën togat e zeza nuk ishin në dijeni. Arbër Çekaj është marrë në pyetje nga prokurorët shqiptarë në Gjermani, ku nuk ka pranuar të jap asnjë të dhënë që mund të ndihmojë organin e akuzës për të zbuluar se kush janë porositësit e sasisë më të madhe të kokainës të kapur ndonjëherë në vendin tonë./ABC News Albania 24/7