Në fillim të muajit të ardhshëm, pritet të hyjë në fuqi marrëveshja për zhdoganimin e përbashkët ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje pritet që të krijojë lehtësi për bizneset e ndërsjella.
Nga 1 gushti fillon zbatimi i zhdoganimit të përbashkët mes Maqedonisë dhe Serbisë. Kjo marrëveshjes e nënshkruar mes dy vendeve pritet ta lehtësojë kalimin e kufirit si për udhëtarët ashtu edhe për transportuesit. Këtë e njoftoi Zv/ministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu për Tv Klan.
Zv/ministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu njoftoi se koncepti i kontrolleve të përbashkëta kufitare (One-stop shop) nënkupton procedura më të lehta, që kryhen në një vendkalim të përbashkët kufitar, me numër minimal të ndalimeve, ku kontrollimi i udhëtarëve, mallrave bëhet vetëm në një vend.
Zhdoganimi i përbashkët është edhe një nga kërkesat e transportuesve, ku sipas Nuhiut me këtë do të lehtësohet procesi i transportit të mallrave.
Kontroll të përbashkët krahas vendkalimit kufitar në Tabanoc, Nuhiu njoftoi se pritet të ketë edhe në kalimin hekurudhor Tabanoc me Serbinë dhe në Qafëthanë me Shqipërinë.
Ndërkaq, kontrolli i përbashkët në trafikun hekurudhor parashikon ndalimin e vetëm të trenave për kryerjen e formaliteteve kufitare, të cilat do të ndikojnë në përshpejtimin e trafikut hekurudhor, duke shkurtuar kohën e mbajtjes së trenave në pikat kufitare dhe duke ofruar përfitime ekonomike dhe kursime për operatorët ekonomikë. /ABC News Albania 24/7