Sapo dëgjojmë emrin Ester Hoxha, menjëherë mendja na shkon te këngtarja e vogël e Festivaleve për Fëmijë në Shkodër, apo te ajo vajza që bëri të gjithë të dashuruarit për vete me duetin me Noizyn. Mirëpo, sot të gjithë janë kuriozë të dinë se ku “ka humbur” Esteri, e cila ndodhet larg skenës prej kohësh.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ajo ka treguar se tani ka hequr dorë nga muzika dhe i është përkushtuar biznesit. Esteri ka zbuluar se jeton në SHBA dhe punon si menaxhere në një kompani të njohur.
“Unë jam larguar nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare dhe ka qenë vendimi i babait tim. Edhe është e çuditshme sepse babi është ai që investoi në muzikë. Edhe babi është ai që e mori këtë vendim, edhe aty përfundova vitin e fundit të shkollës së mesme, që është një shkollë amerikane. Më pas vazhdova studimet, për ekonomi biznes po prap në shkollë amerikane në Itali. Edhe mbasi ndenja në Itali gati 8-9 vite, vendosa që të eksploroja botën drejt Amerikës, pastaj shkova në Uashington, ku bëra masterin. Momentalisht, nuk ka lidhje me artin. Unë punoja në bank, po tani kam ndryshuar totalisht drejtim në një punë akoma edhe më të mirë. Unë jam një menaxhere e lartë dhe është një kompani goxha e madhe, menaxhoj gati 180 punëtorë. Kështu që ka goxha punë, edhe ashtu siç ka dhe goxha punë, ka dhe goxha shpërblim”, u shpreh ajo./abcnews.al