Blinken nuk do të takohet me ministrat e jashtëm të Kinës dhe Rusisë në mbledhjen e G20

schedule19:32 - 1 Mars, 2023

schedule 19:32 - 1 Mars, 2023

Ministri i Jashtëm amerikan Anthony Blinken, mbërriti sot në Indi për Samitin e Ministrave të Jashtëm të G20. Ai tha se nuk është planifikuar të takohet me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.

SHBA pret që ministrat e jashtëm të G20 të dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, tha një zyrtar i lartë që shoqëronte Blinken në udhëtimin e tij. Blinken tha nga Uzbekistani se nuk ka asnjë takim të planifikuar me homologun e tij kinez Qin Gang.

Blinken dhe Lavrov u takuan për herë të fundit në janar 2022, vetëm disa javë para fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Ministri rus mbërriti të martën mbrëma në Indi, një vend që ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Moskën për shumë vite dhe nuk e ka dënuar pushtimin e Ukrainës. Sergej Lavrov do të përfitojë nga pjesëmarrja e tij në G20 për të nisur një sulm ndaj Perëndimit, siç la të kuptohet në njoftimin e ministrisë së tij. “Politika katastrofike e SHBA-së dhe aleatëve të saj tashmë e ka sjellë botën në prag të katastrofës, ka shkaktuar një ngecje në zhvillimin socio-ekonomik dhe ka përkeqësuar ndjeshëm situatën e vendeve më të varfra”, thuhet në deklaratë.

Marrëdhëniet e SHBA me Kinën janë gjithashtu të tensionuara. Dhjetë ditë më parë, Blinken dhe kryediplomati kinez Wang Yi u takuan në Mynih, ku paralajmëroi Kinën për “pasojat” nëse zbulohet se po ofron “mbështetje materiale” për Rusinë në luftën në Ukrainë, ose nëse e ndihmon atë të anashkalojë sanksionet e vendosura ndaj saj nga Perëndimi.

Presidenti kinez Xi Jinping mirëpriti sot në Pekin një nga aleatët më të afërt të Moskës, presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

Çështja është veçanërisht e ndjeshme për Indinë, një klient i madh ushtarak i Moskës që ka rritur gjithashtu importet e saj të naftës ruse gjatë vitit të kaluar.

Në shtator, kryeministri indian Narendra Modi i tha presidentit rus Vladimir Putin se “kjo nuk është koha për luftë”, një deklaratë që u interpretua si kritike për pushtimin rus të Ukrainës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!