Shtetet e Bashkuara po i intensifikojnë sërish përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pas një periudhe ngecjeje për shkak të konfliktit me Iranin. Bisedimet e reja SHBA-Ukrainë-Rusi janë planifikuar të mbahen më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dabi.
Këto do të jenë bisedimet e para mes tyre që nga shkurti i këtij viti.
Në prag të këtyre bisedimeve, presidenti amerikan, Donald Trump, tha në emisionin “60 Minutes” të televizionit CBS se beson që “jemi shumë pranë një marrëveshjeje” dhe se lufta “do të përfundojë së shpejti”.
Megjithatë, pritshmëritë për ndonjë përparim të rëndësishëm në bisedimet e kësaj jave janë të ulëta. Ja pesë arsyet kryesore pse.
Negociatat si mjet për arritjen e qëllimeve
Një nga pengesat për përparim thelbësor mund të përmblidhet me një fjalë të vetme: Rusia.
Edhe pse pohimi se Rusia mund ta përfundojë luftën brenda një çasti është deri diku një e vërtetë e vetëkuptueshme, ai është gjithashtu i saktë. Presidenti Vladimir Putin e nisi pushtimin në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022 dhe, së paku, mund t’i ndalë luftimet duke pranuar atë që Kievi dhe Perëndimi e kanë kërkuar: një armëpushim sipas të cilit vijat e frontit do të mbeteshin në pozicionet e tanishme.
Por, ai nuk ka dhënë asnjë shenjë se është i gatshëm ta bëjë këtë. Analistët paralajmërojnë se Moska i ka përdorur negociatat e mëparshme për të fituar kohë dhe për të mbajtur gjallë shpresat për paqe, ndërkohë që nuk ka pranuar të bëjë lëshime.
“Për Perëndimin, negociatat janë mjet për t’i dhënë fund luftës; për Putinin, ato mund të jenë mjet për ta fituar atë”, shkroi më 8 nëntor Sam Greene, profesor në Institutin për Rusinë në King’s College London dhe autor i një libri për Putinin.
Politikëbërësit perëndimorë duhet ta kuptojnë “dallimin mes dëshirës së Putinit për negociata dhe dëshirës së tij për të negociuar”, shkroi ai.
Donbasi
Kur nisi pushtimin në shkallë të plotë, Putini synonte ta nënshtronte Ukrainën dhe ta dobësonte Perëndimin. Ekspertët thonë se dëshira e tij për të pushtuar territore është dytësore në raport me këto synime.
Megjithatë, në prag të bisedimeve në Abu Dabi, një nga pengesat më të mëdha për përparim është një pjesë e territorit në rajonin e Donjeckut, në Donbas, të cilin forcat ruse nuk kanë arritur ta pushtojnë, pavarësisht viteve të luftimeve jashtëzakonisht të përgjakshme.
Kremlini thotë se kontrolli rus mbi gjithë Donbasin është parakusht për çdo marrëveshje paqeje dhe se kjo nuk është çështje për negociata. Moska ka paralajmëruar se do t’i vazhdojë përpjekjet për ta marrë me forcë pjesën e mbetur të këtij territori, nëse s’e merr dot përmes bisedimeve diplomatike.
Trump la të kuptohej se një rezultat i tillë mund të jetë në horizont, kur i tha CBS-së se lufta do të përfundojë me “një Ukrainë më ndryshme”. Megjithatë, ai nuk shpjegoi se cilën pjesë të territorit mund të detyrohet ta lëshojë Kievi, apo nëse e kishte fjalën për zyrtarizimin e kontrollit rus mbi të, diçka që Kievi e konsideron të papranueshme.
Rusia aktualisht kontrollon rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës, përfshirë Gadishullin e Krimesë, të cilin e pushtoi në vitin 2014.
Sa i përket Donbasit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur vazhdimisht se Rusisë nuk duhet t’i dorëzohen territore që forcat ukrainase kanë arritur t’i mbrojnë. Nuk ka asnjë shenjë se Kievi do ta ndryshojë këtë qëndrim.
Një tjetër arsye që e bën Kievin të mos lëshojë pe është fakti se pjesa e rajonit të Donjeckut që ende kontrollohet nga Ukraina, përbën një “brez fortesash” me infrastrukturë të rëndësishme mbrojtëse. Dorëzimi i këtij territori do ta linte Ukrainën më të cenueshme ndaj sulmeve të ardhshme.
“Marrëveshje e madhe dhe madhështore”
Trump është përpjekur ta ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje që nga fillimi i mandatit të tij të tanishëm, në janar të vitit 2025, pasi kishte përsëritur vazhdimisht se do të mund t’i jepte fund luftës brenda një apo dy ditësh.
Në disa raste, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar armëpushim të plotë si hap të parë drejt paqes. Rusia e ka hedhur poshtë vazhdimisht këtë ide, duke këmbëngulur se luftimet mund të ndalen vetëm pasi të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për paqe.
Megjithatë, më 5 nëntor, Trump sugjeroi një nismë shumë më të gjerë: një “marrëveshje të madhe dhe madhështore”, e cila “do të përfshijë më shumë sesa Ukrainën”.
Dhëndri dhe këshilltari i posaçëm i Trumpit, Jared Kushner, i cili së bashku me Steve Witkoffin do ta përfaqësojë SHBA-në në bisedimet në Abu Dabi, e shtjelloi këtë ide në një postim në rrjetin X. Ai shkroi për “nevojën për një arkitekturë më të gjerë të sigurisë evropiane, e cila mund të ndihmojë në krijimin e kushteve për një paqe të qëndrueshme”.
Kushner siguroi se çdo marrëveshje e re “duhet ta respektojë plotësisht sovranitetin, integritetin territorial dhe të drejtën e çdo shteti për të marrë vendime në mënyrë të pavarur. Secili shtet do të ruajë autoritetin mbi sigurinë dhe aleancat e veta, dhe asnjë shtet nuk do të ketë të drejtën e vetos mbi zgjedhjet sovrane të një shteti tjetër”.
Në një postim të ri në rrjetin X, më 9 nëntor, Kushner tha se para bisedimeve trepalëshe, ai dhe Witkoff do të “takohen me partnerët tanë nga Ukraina, Bashkimi Evropian, NATO-ja, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia, për t’i vazhduar konsultimet dhe koordinimin e ngushtë që kemi zhvilluar lidhur me sigurinë evropiane dhe të ardhmen e Ukrainës pas luftës”.
Ai shkroi se “arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme do të kërkojë gjithashtu angazhim të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe partnerëve tanë evropianë për çështjet më të gjera të sigurisë që i prekin ata”.
Por, deklaratat e Trumpit dhe Kushnerit shkaktuan shqetësim në Kiev dhe më gjerë, pjesërisht sepse disa prej formulimeve të saj ngjanin me kërkesat e kahershme të Kremlinit që Rusia të ketë ndikim të madh në arkitekturën e sigurisë evropiane, dekada pas tërheqjes sovjetike nga Evropa Lindore dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Kjo ngriti shqetësime se Evropa, për të cilën Rusia këmbëngul se nuk do të jetë drejtpërdrejt e përfshirë në bisedimet e Abu Dabit, mund të përjashtohet nga diskutimet për të ardhmen e saj.
“Ne tashmë kemi një arkitekturë evropiane të sigurisë”, u tha gazetarëve shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, duke shtuar se “çdo marrëveshje, për t’u zbatuar, do të kërkojë që Bashkimi Evropian të jetë pjesë e saj”.
Më 9 nëntor, Kallas tha se Rusia po “bombardon civilët” dhe po “shtiret sikur po negocion”, duke shtuar se “nuk kemi parë asnjë vullnet të mirë nga pala ruse”.
Në çdo rast, Ukraina dhe BE-ja do të jenë të kujdesshme ndaj çdo diskutimi që rrezikon ta përjashtojë Evropën ose t’i anashkalojë synimet që ato i konsiderojnë më urgjente, siç janë ndalimi i luftimeve dhe garantimi i sigurisë së Ukrainës.
Përpjekja për të arritur një marrëveshje që do të përfshinte të gjithë kontinentin mund t’i vështirësojë edhe më shumë qoftë edhe hapat më të vegjël drejt paqes.
Lufta gjatë dimrit
Bisedimet po zhvillohen një javë pasi votuesit amerikanë i shkaktuan partisë së Trumpit një humbje të madhe në zgjedhjet e mesmandatit, duke ua kaluar demokratëve kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, të cilat deri atëherë kontrolloheshin nga republikanët.
Megjithatë, Kongresi i ri nuk do të mblidhet deri më 3 janar, duke ia mundësuar një hapësirë kohore Shtëpisë së Bardhë për arritjen e një marrëveshjeje.
Por, arritja e një marrëveshjeje do të kërkonte që palët të bëjnë lëshime. Trump mund të ketë lënë të kuptohet se cili do të ishte lëshimi nga ana e Ukrainës kur tha se ajo do të duhet të heqë dorë nga territore të veta.
Megjithatë, mundësia e SHBA-së për t’i bërë trysni Kievit që të pranojë lëshime të mëdha është e kufizuar. Ndryshimi politik në Uashington, si dhe sukseset në fushëbetejë dhe në fushatën e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe ushtarake ruse, mund të bëjnë që Ukraina të përballet më dimrin më të ashpër deri më tani.
Ndërkohë, për momentin nuk duket e mundshme që Rusia të përballet me presion të ri të konsiderueshëm. Analistët thonë se Moska ka të ngjarë të vazhdojë sulmet e pandërprera ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës tjetër jetike të Ukrainës, si dhe sulmet që shkaktojnë vdekjen e civilëve, gjatë dimrit. Synimi i saj është që ta detyrojë Kievin drejt kompromisit në vitin 2027.
“Nuk besoj aspak se do të kemi paqe para pranverës”, tha analisti dhe autori britanik Mark Galeotti në podkastin e tij, në fund të muajit të kaluar. “Nëse jo për ndonjë arsye tjetër, Putini do të mendojë: ‘Le t’i godasim ukrainasit edhe në një dimër tjetër’”.
Greene shkroi në blogun e tij se Rusia do të mbështetet te mundësia për t’u shkaktuar ukrainasve një dimër “katastrofik”, ndërsa do të shpresojë që zgjedhjet e pranverës së ardhshme në Francë dhe Gjermani ta dobësojnë mbështetjen evropiane për Kievin.
Deri në maj ose qershor, “Moska ka të ngjarë të ndiejë se pozicioni i saj ka arritur pikën më të favorshme dhe do të përpiqet t’i konsolidojë përfitimet e arritura”, shkroi ai. Sa u përket bisedimeve të kësaj jave, ai shtoi: “Supozimi im bazë është se Abu Dabi nuk do të sjellë asgjë thelbësore”.
Histori e tmerrshme
Për ta kuptuar se Rusia nuk është e gatshme të bëjë lëshime, mjafton të shihen deklaratat e Putinit dhe zyrtarëve të tjerë rusë.
Një tjetër dëshmi e mundshme është fakti se delegacioni i Moskës në bisedime do të drejtohet nga Vladimir Medinsky, këshilltar i Kremlinit, historian dhe ish-ministër i Kulturës. Ai jo vetëm që ka shprehur, por edhe ka ndikuar në formësimin e pikëpamjeve të Putinit për Ukrainën, sovranitetin e plotë të së cilës presidenti rus e ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje.
Medinsky, i cili ka përsëritur qëndrimet revizioniste të Putinit për historinë e Ukrainës dhe çështje të tjera, raportohet gjerësisht se ka pasur rol të rëndësishëm në hartimin e një artikulli të korrikut të vitit 2021, i cili, të paktën në retrospektivë, zbuloi qartë synimet e Putinit ndaj Ukrainës, shtatë muaj para nisjes së pushtimit në shkallë të plotë.
Ai ka udhëhequr delegacionin e Moskës edhe në disa raunde të mëparshme të bisedimeve me Ukrainën gjatë dy vjetëve të fundit, përfshirë takimin më të fundit trepalësh, të mbajtur në Gjenevë në shkurt.
Në Kiev dhe në Perëndim, Medinsky është parë si një përfaqësues që përsërit kërkesat ruse, duke treguar pak fleksibilitet në negociatat që përfunduan pa ndonjë përparim drejt paqes.
“Kur dëshiron negociata serioze, dërgon njerëz seriozë”, i tha Radios Evropa e Lirë në vitin 2025 Boris Bondarev, ish-diplomat rus, i cili dha dorëheqje në shenjë proteste ndaj pushtimit të Ukrainës dhe jeton jashtë Rusisë.
“Medinsky? Ai është pjesë e një ekipi amatorësh, i nivelit të dytë apo të tretë, dhe nuk duhet marrë seriozisht”./REL


