Skuadra e Romës kërkon sulmuesin Mauro Ikardi

schedule15:40 - 26 Korrik, 2019

schedule 15:40 - 26 Korrik, 2019

Sulmuesi i Interit, Mauro Ikardi ka përfunduar në objektin e skuadrës së Romës. Verdhekuqtë janë të gatshëm të ofrojnë 30 mln euro dhe shërbimet e ballkanasit Edin Xheko për të arritur te argjentinasi.

Mauro Ikardi është kryefjala e merkatos së kësaj vere në kampionatin Italian. Sulmuesi argjentinas është në një luftë të hapur me drejtuesit e klubit zikaltër, të cilët e kanë informuar se nuk është në planet e skuadrës për sezonin e ri. Jo vetëm kaq, por edhe tekniku i ri Antonio Konte nuk e grumbulloi në fazën përgatitore në Azi ku Interi po zhvillon ndeshjet miqësore. Megjithatë Ikardi ka theksuar në vazhdimësi se e mendon të ardhmen vetëm tek skuadra e Interit dhe jo diku tjetër. Qëndrimi i argjentinasit në San Siro po mban pezull merkaton e Interit sa i përket përforcimeve në fazen ofensive. Zikaltërit kanë një buxhet të kufizuar në merkato dhe shitja e Ikardit do të financonte blerjet e reja përfshi këtu Romelu Lukakun apo Edin Xheko.

Interesimi i Juventusit për Ikardin është zbehur disi, ndërkohe që Napoli insiston për shërbimet e 26 vjeçarit. Së fundmi në skenë është shfaqur edhe skuadra e Romës. Verdhekuqtë kërkojnë të transferojnë Ikardin duke përdorur në tratativa sulmuesin e kërkuar nga Interi, Edin Xheko. Sipas mediave italiane, Roma ofron kartonin e futbollistit boshnjak dhe 30 mln euro për argjentinasin. Një ofertë që ende nuk ka marrë një përgjigje nga drejtuesit e klubit zikaltër. Shifra totale është 50 mln euro, ndërkohë që Inter kërkon jo më pak se 60 mln për Ikardin. Gjithsesi Roma ofron futbollistin e shumë dëshiruar nga trajneri Antonio Konte dhe mes palëve mund të gjendet akordi.

Verdhekuqtë janë të gatshëm t’i ofrojnë bomberit një kontrate 5 vjeçare page prej 5 mln euro neto në sezon pa përfshirë bonuset. Ikardi preferon Juventusin, por kalimi në Torino duket shumë i vështirë, ndërkohë që Roma dhe Napoli janë dy pistat më të lehta për problematikin e Interit. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!