Superiore: Mbyllet raundi i 23-të, Tirana dhe Partizani dështojnë

schedule09:45 - 26 Shkurt, 2023

schedule 09:45 - 26 Shkurt, 2023

Janë mbyllur ditën e djeshme sfidat e raundit të 23-të në Kategorinë Superiore.

Të premten, Bylis u mposht në shtëpi ndaj Egnatias me rezultatin 2-3. Kjo fitore i jep një avantazh rrogozhinasve, duke u renditur kështu në vendin e katërt me 34 pikë, vetëm 6 pikë larg vendit të parë. Ndërsa ballshiotët renditen në vendin e 9-të me 26 pikë.

Sfida mes Kukësit dhe Partizanit u mbyll me rezultatin minimal 1-0, me verilindorët që morën një fitore të rëndësishme ndaj “demave”. Mjaftoi supergoli i Taipit në minutën e 22-të për t’i dhënë skuadrës së tij tre pikët. Me këtë fitore, Kukësi tashmë renditet në vendin e tetë me 28 pikë, ndërsa Partizani në vendin e dytë me 37 pikë.

Përballja e fundit e së premtes ishte ajo mes Erzenit dhe Laçit, e cila përfundoi në barazim 1-1. Erzeni me pikën e fituar, renditet në vendin e pestë me 32 pikë, ndërsa kurbinasit në vendin e shtatë me 30 pikë.

Të shtunën, Tirana u befasua në shtëpi nga Teuta, me durrsakët të cilët fituan me rezultatin 0-2. Kjo humbje i pengoi kryeqytetasit të shkëputeshin nga Partizani, pas hapit fals të tyre. Tirana vazhdon të jetë me krye me 40 pikë, ndërsa Teuta në vendin e gjashtë me 31 pikë.

Ndeshja e fundit e këtij raundi ishte ajo mes Vllaznisë dhe Kastriotit, ku shkodranët pësuan humbje minimale dhe nuk mundën të përfitonin për t’u renditur të dytët në tabelë. Tashmë, Vllaznia ndodhet në vendin e tretë me 35 pikë, ndërsa Kastrioti në vendin e fundit me 23 pikë./ h.ll/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!