Klisman Llazani është një këngëtar i muzikës qytetare shkodrane. Ai është lindur dhe rritur në Shkodër dhe nuk kishte se si zgjedhjet muzikore të mos ishin të tilla.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit” për të promovuar këngën e tij më të re “Një gotë për ty”, Klismani ka folur për të gjithë karrierën e tij dhe formimin artistik që nga vegjëlia. Ai ka theksuar se muzikën qytetare nuk e ka ndërruar asnjëherë sepse është diçka që e ndjen me zemër dhe shpirt.
“Që në moshën 6 vjeç unë kam filluar të studiojë muzikë me profesor Zef Çobën privatisht. Më vonë me kalimin e viteve kam kryer një lloj kursi profesional për muzikë. Më vonë kam studiuar në Akademinë e Arteve për Pedagogji Muzikore. Kam që në moshën 18 vjeç që jam pjesë e Ansamblit. Jetoj në Shkodër dhe ka diçka që unë kam fatin e madh dhe gjithë shkodranët që jetojnë në Shkodër, se i ka të gjitha të mirat, pse duhet të largohemi. Psh, në pjesën e muzikës, dihet që Shkodra është ajka e muzikës qytetare shqiptare, pse duhet ta ndërrojmë.
Që në moshë të vogël unë kam kënduar muzikën popullore, kam lindur me këtë muzikën në shpirt, nuk është se e bëj për interesa ekonomike. Këtë më pëlqen ta bëj, nuk është se e kam bërë për një arsye tjetër përveç se ma ka ndjerë shpirti, zemra për të kënduar muzikën popullore.
Si një qytetar shkodran jemi rritur me muzikën popullore. Nuk kam pasur kohë unë me dal me këndu muzikë tjetër kur në shtëpi në fis dëgjojmë vetëm muzikë popullore, se shkodranët janë shumë fanatik”, u shpreh ndër tjera shkodrani i talentuar./abcnews.al