Kryepolici Veliu “blitz” në Morinë: Më shumë patrulla në kufirin e gjelbër

schedule09:20 - 24 Korrik, 2019

schedule 09:20 - 24 Korrik, 2019

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ishte mëngjesin e sotëm në Morinë për të parë nga afër zbatimin e masave për përballimin e fluksit. Ai ka kërkuar masa shtesë me qëllim krijimin e lehtësirave për shmangien e radhëve të gjata si pasojë e fluksit.

Veliu i porositi drejtuesit e Policisë kufitare në Morinë që në raste fluksi të aplikojnë procedurë të përshpejtuar, por nga ana tjetër punonjësit e policisë të ushtrojnë kontroll në vijën e dytë për të gjitha mjetet që dyshohen për paligjshmëri. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kërkuar rritje të patrullimit në kufirin e gjelbër, pasi në sezone apo raste fluksesh tendenca për të zhvilluar paligjshmërinë orientohet në kufirin e gjelbër.

Gjatë mëngjesit të sotëm ka patur një fluks të madh të qytetarëve kosovarë në drejtim të Shqipërisë, ku vetëm orët e parë të mëngjesit kanë hyrë mbi 5000 shtetas. /ABC News Albania 24/7