Gjatë replikave me opozitën në Parlament, Kryeministri Rama deklaroi se shkaktar i përmbytjeve në autostradë, është dora e njeriut. Sipas tij, në atë zonë është ndërtuar mbi kolektor dhe për këtë ka fajësuar opozitën, për lejet që ka dhënë kur ka qenë në pushtet.
“Ka filluar një hetim për çështjen e përmbytjes te City Parku. Nga të dhënat e para hetimore, atje në atë zonë është ndërtuar mbi kolektor dhe për dijeninë tuaj lejet e ndërtimit mbi kolektor i kanë dhënë ata që i kanë dhënë gjithmonë, ju! Hetimi do sjellë edhe çuarjen për ndjekje penale për ata që kanë përgjegjësi për atë dëm të vërtetë. Patjetër që ne do të ndërhyjmë për ta rivendosur në vend infrastrukturën në atë zonë”,– tha Rama në Parlament.
Prokuroria prej disa ditësh ka nisur hetimet për përmbytjet tek City Park në autostradën Tiranë – Durrës.
Ai akuzoi demokratët edhe për pëmbytjen e Nënshkodrës, që sipas tij po të kishte pasur një menaxhim sipas gjithë rregullave, s’do ishte nevoja të derdhej gjithë uji i marrëzisë.
“Kam thënë s’do ketë përmbytje nga dora e njeriut në qeveri, sepse kaskada e Drinit e menaxhuar me telefon e përmbyti në mënyrë të hatashme Nënshkodrën në një rast kur po të kishte pasur një menaxhim tjetër sipas gjithë rregullave, s’do ishte nevoja të derdhej gjithë uji i marrëzisë. Sa për investimet, po të mos ishin bërë ne do të kishim patur një situatë tragjike. Ato investime kanë krijuar kushtet për të qënë shumë më të mbrojtur dhe pse jam shumë dakord që do të vazhdojnë. Kurse ju nga përmbytja e Shkodrës nxorrët by pass e Bunës, që tani janë ngritur të gjithë shkodranët dhe kërkojnë të ndryshojnë projektin”, tha Rama./abcnews.al