Në këshillin e sotëm të ministrave të jashtëm, BE pritet të miratojë paketën e 10 të sanksioneve kundër Rusisë, në kuadër të 1-vjetorit të luftës.
Komisioni Europian ka propozuar raundin e 10-të të sanksioneve duke përfshirë ndalimin e eksporteve ruse dhe ndëshkimin e përpjekjeve për t’iu shmangur sanksioneve ekzistuese.
Megjithatë, sot nuk pritet një vendim përfundimtar.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba do t’i bashkohet këshillit, i cili do të fokusohet në përpjekjet për të mbështetur forcat e armatosura ukrainase me furnizime të mëtejshme me armë dhe municione.
Estonia dëshiron të zgjerojë skemën europiane për dërgimin e armëve dhe municioneve në Ukrainë, duke përfshirë blerjet e përbashkëta të municioneve dhe rimbushjen e rezervave të vendeve anëtare të BE-së. Në këshill pritet të marrë pjesë edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Moldavisë, Nikos Popesku.
Për më tepër, sanksionet e reja kundër individëve dhe personave juridikë në Iran pritet të miratohen për shkak të shtypjes së vazhdueshme të protestave antiqeveritare.
Gjithashtu priten të diskutohen mënyrat se si mund të ofrojnë ndihmë për Afganistanin pasi qeveria de fakto talebane ndaloi gratë të punojnë.
Për më tepër, axhenda përfshin prioritetet e BE-së në funksion të COP28, konferencës së ardhshme të OKB-së për parandalimin e ndryshimeve klimatike.
/abcnews.al