Presidenti kinez Xi Jinping do të mbajë një “fjalim paqeje” në përvjetorin e pushtimit rus të Ukrainës, tha sot ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, duke cituar homologun e tij kinez Wang Yi.
“Xi do të mbajë një fjalim paqeje në përvjetorin e pushtimit të Ukrainës” më 24 shkurt 2022, tha ministri Antonio Tajani për radiostacionin RAI , një ditë pas takimit të tij me kryediplomatin e Kinës në Romë.
Tajani tha se në takimin me Wang Yi, ai i bëri thirrje Kinës që të përdorë të gjithë fuqinë e saj për të bindur Rusinë të ulet në tryezën e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës.
I pyetur në lidhje me pjesëmarrjen e Italisë në planin e Kinës “Një brez dhe një rrugë”, Tajani tha se Roma po e vlerësonte çështjen dhe do të vendoste në momentin e duhur.
Italia në vitin 2019 u bë vendi i parë i madh i industrializuar që nënshkroi nismën. Por është arritur shumë pak deri më tani sipas marrëveshjes së nënshkruar gjatë vizitës zyrtare të Xi Jinping në Itali.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha vitin e kaluar, para se të zgjidhej, se nuk donte të “favorizonte zgjerimin kinez në Itali apo Europë” dhe se nuk kishte ndërmend ta zbatonte planin.
Në dhjetor, Komisioni Europian shpalli një plan të quajtur Porta Globale që parashikon investimin e 300 miliardë eurove në mbarë botën deri në vitin 2027 në projekte infrastrukturore, dixhitale dhe klimatike si alternativa më e mirë ndaj Iniciativës së Kinës “Një brez një rrugë”.
/abcnews.al