Aktet e dhunës në impiantet sportive do të shoqërohen me sanksione të ashpra në Kodin Penal. Ata që godasin apo futen në fushat e lojës do të përfundojnë në burg.
Tashmë është bërë fakt. Aktet e dhunës në stadiumet e futbollit janë shoqëruar me sanksione të ashpra në Kodin Penal. Në amendimet më të fundit të miratuara nga Parlamenti, tashmë ka burg për të gjithë ata që godasin, futen në fushat e futbollit, apo hedhin edhe sende të ndryshme në fushë.
Kështu sipas amendimeve më të fundit goditja ndaj njerëzve të sportit dënohet me burgim nga një deri në tre vjet, e në rast përsëritjeje deri në pesë vjet. Eshtë lënë evazive në dorë të vendimeve të gjykatës një masë e tillë, por nuk mund të jetë më pas se një vit, apo më shumë se 3 vjet. Dhe në rast përsëritjeje, atëherë masa shtohet. Gjithashtu burg parashikohet edhe për ata që hedhin sende në fushë apo hyjnë brenda saj, ku me ndryshimet më të fundit, për të gjithë personat që do të konsiderohen si invadues në fushë me tendencë dhune është parashikuar në Kodin e ri Penal me ndryshimet më të fundit një dënim me heqje lirie deri në 5 vjet. Këto ndryshime tashmë janë shndërruar në Ligj, dhe natyrisht që do të kenë impaktin e tyre në stadiumet shqiptare, duke nisur që nga sezoni i ardhshëm. Në një kohë ashpërsimet në Kodin Penal lidhen edhe me një siguri më shumë karshi zyrtarëve të një ndeshje futbolli, dhe jo vetëm, siç edhe ndodhi në Kamzë, muaj më parë. Pikërisht ishte ajo ngjarje që më pas provokoi një tryezë të gjatë diskursi me familjen e madhe sportive, aty ku Kryeministri i vendit inicioi startin e një pakete të plotë ligjesh. Dhe pjesa e ashpërsimit të dënimeve në Kodin Penal tashmë është Ligj. Burg nga një deri në 3 vjet për këdo dhunon e godet. /ABC News Albania 24/7