Rexhep Tajip Erdogan mbërriti në zonat e prekura nga tërmeti në jug të Turqisë pasditen e së mërkurës, në një kohë kur sipas të dhënave të fundit, numri i të vdekurve nga tërmeti ka shkuar në 9600 në Turqi dhe Siri.
Ekipet e shpëtimit po luftojnë për të shpëtuar të mbijetuarit e tjerë në rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara. Mes ngricave, por fatmirësisht me daljen e diellit, ekipet ndërkombëtare po mbërrijnë në vend dhe “mrekullitë” po regjistrohen çdo orë, sipas mediave turke, me nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat.
Megjithatë, ekipet e shpëtimit po paralajmërojnë se koha po mbaron për të gjetur të mbijetuar pasi të mërkurën u shënuan 72 orë nga tërmeti i parë i madh me magnitudë 7.8 ballë.
Gjithsej të paktën 8,700 njerëz janë nxjerrë të gjallë në Turqi nga rrënojat, sipas të dhënave të fundit nga TRT. Të paktën 96,000 shpëtimtarë dhe vullnetarë janë duke operuar, sipas qeverisë turke.
Që nga mëngjesi i së mërkurës, autoritetet turke kishin konfirmuar vdekjen e të paktën 7,108 personave dhe plagosjen e 40,910 të tjerëve. Ministri i Mjedisit i Turqisë, Murat Kurum tha në një deklaratë të mërkurën në mëngjes se 684 pasgoditje janë regjistruar tashmë dhe u zotua të sigurojë strehim për miliona viktima të tërmetit, raporton abcnews.al.
Sipas AFAD-it tashmë janë ngritur 50 818 tenda.
Në Siri , numri i të vdekuve ka shkuar në 2,600. Sipas një deklarate nga Ministria e Shëndetësisë e vendit natën e së martës deri të mërkurën, të paktën 1,250 njerëz u vranë dhe 2,054 u plagosën në zonat në provincat e Aleppo (në veri), Lattakia (perëndim). Hama (qendrore) dhe Tartous (në veriperëndim).
Në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim të Sirisë, 1,280 njerëz të tjerë u vranë dhe më shumë se 2,600 u plagosën, sipas shpëtimtarëve të quajtur Helmetat e Bardha.
“Numri pritet të rritet ndjeshëm për shkak të pranisë së qindra familjeve nën rrënoja, më shumë se 50 orë pas tërmetit”, shkruan Helmetat e Bardha në një postim.
Po ashtu ka një garë për të transportuar të lënduarit nga zonat e goditura nga tërmeti drejt spitaleve të qyteteve të tjera si Ankara, Antalia dhe Stamboll, pasi spitalet që i rezistuan efekteve të Enceladusit dhe që janë ende në funksion janë të stërmbushur me të lënduar, raporton abcnews.al
Janë ngritur dhjetra spitale fushore gjithashtu në shumë rajone në jug dhe lindje të Turqisë. Në të njëjtën kohë, në zonat qendrore të qyteteve të goditura nga tërmeti, njerëzit po flenë në hapësira të hapura dhe në makina për t’u mbrojtur nga i ftohti. Kompania ajrore shtetërore Turkish Airlines ka njoftuar se fluturimet nga zonat e goditura nga tërmeti do të jenë pa pagesë të paktën deri më 13 shkurt.
Ndërkohë në mëngjes ka shpërthyer sërish zjarri në portin e Aleksandrettës. Një avion dhe një helikopter janë dërguar në zonë për të shuar flakët.
Zjarri ka rënë pas tërmetit në Kahramanmaras, si pasojë e të cilit porti është mbyllur dhe anijet e mallrave janë dërguar drejt porteve fqinje.
/abcnews.al