Nicolo Zaniolo është praktikisht një lojtar i Galatasaray. Sipas asaj që u raportua nga “Sky Sport” gjatë natës, u zgjidhën procedurat burokratike për kalimin e tij në Superligën turke, me aprovimin final që pritet të jetë ditën e sotme dhe pasdite nisja drejt Turqisë.
Zaniolo ka miratuar kalimin e tij te Galatasaray, për një kontratë 4 vjet e gjysmë me 3.5 milionë euro në sezon dhe një klauzolë prej 35 milionë euro do të përfshihet në marrëveshje.
Sulmuesi italian kohët e fundit pati shumë probleme me klubin dhe tifozët e Romës. Drejtuesit i kërkuan të largohej në merkaton e janarit për arsye se ai nuk bënte më pjesë në planet e klubit dhe nëse nuk gjente një ekip, ai nuk do të luante më me Romën deri në fund të sezonit, pasi do të qëndronte në stol.
Ai pati oferta, por nuk pranoi të transferohej te klubet që e kërkonin. Tashmë, duket se Zaniolo ka vendosur të transferohet te Galatasaray, ku do të gjejë aty lojtarë si Icardi, Mertens dhe Rashica./ h.ll/abcnews.al

