Padyshim që nuk është favoritë.
Nuk ka sesi Roma të vlerësohet e tillë në Serinë A, me Interin kampion dhe që cilësohet si më I forti, me Napolin që ka fituar dy tituj vitet e fundit, si dhe me të përhershmit Juventus e Milan.
Gjithsesi, nisja e kampionatit nga skuadra kryeqytetase ishte e shkëlqyer.
Fiorentina u mund 4-0 në stadiumin “Olimpiko”, falë klasit të Paulo Dibalës dhe “snajperit” Doniel Malen, dhe tifozët ëndërrojnë gjëra të mëdha.
A ishte tepër e fortë kjo Romë, apo tepër e dobët skuadra “vjollcë”, kjo do të kuptohet me kalimin e javëve, veçse për momentin të gjitha lavdet janë për verdhekuqtë.
Sulmuesi holandez ishte njeriu që konkretizoi gjithçka me tre gola që në start.
Malen tundi rrjetën në minutat 27, 52 e 60, pra mund të thuhet se mbaroi punë shpejt.
Në fund, Nikolo Pizili vulosi shifrat 4-0.
Komentet, megjithatë, veçuan një tjetër yll, të mbiquajtur “Zhoia”, pra gëzimi apo lumturia.
Ky është Dibala dhe argjentinasi ishte në formë të madhe.
Ai diktoi ritmin, ai shërbeu 3 asistet, pra krijoi 3 golat e holandezit, dribloi, pasoi dhe shkëlqeu duke fituar brohoritjet e 65 000 tifozëve në “Olimpiko”.
Trajneri Xhampiero Gasperini është I kënaqur dhe lutet vetëm që numri 21 të mos dëmtohet, ndërsa tifozët siç e thamë besojnë edhe tek titulli, ndonëse objektivi tjetër këtë sezon është të shkohet sa më larg në Champions.


