Sot bëhen 19 vjet nga themelimi i gjigandit teknologjik ‘Facebook’.
Pra, më 4 shkurt të vitit 2004, Facebook, një rrjet lidhjesh shoqërore në internet, u themelua nga Mark Zuckerberg me 4 shokët e tij të dhomës, Eduardo Saverin, Andrew Mccollum, Dustin Moskovitz dhe Chris Hughes, ndërkohë që studionin në Universitetin e Harvardit.
Kështu që nga 4 shkurti i 2004-ës ndryshoi rrënjësisht edhe mënyra e komunikimit në botë.
Por çka do të thotë emri “Facebook”?
Emri “Facebook” vjen nga një togfjalësh të një libri me të dhënash udhëzuese nga lëndët mësimore me të cilin pajisen studentët në disa universitete amerikane.
Themeluesit fillimisht e kishin kufizuar anëtarësimin në Facebook vetëm për studentët e Harvardit, por më vonë e zgjeruan për universitetet Boston, Princeton, Yale, Stanford.
Gradualisht, Facebook u hap për studentët në kolegje e universitete të tjera, pastaj për nxënësit e shkollave të mesme, dhe më në fund për të gjithë personat të moshës 13-vjeç e sipër kudo në botë.
Në vitin 2012, Facebook u vlerësua si një kompani biznesi me vlerë prej 104 miliardë dollarësh.
Facebook ka njohur vetëm rritje si në të ardhura ashtu edhe në numrin e përdoruesve, ndërsa në vitet e fundit është përfshirë nga një skandal për shitjen e të dhënave personale të përdoruesve për çfarë themeluesi Mark Zuckerberg u detyrua t’i përgjigjet autoriteteve amerikane./KosovaPress