Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov ka akuzuar të enjten Shtetet e Bashkuara të Amerikës se qëndrojnë pas dëmtimit të tubacionit të gazit Nord Stream.
Kryediplomati rus nuk dha asnjë provë për të mbështetur akuzat e tij, por theksoi se SHBA-ja është e përfshirë në mënyrë direkte në incidentin e vitit që shkoi në Detin Baltik.
Më herët, presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar Britaninë e Madhe për shpërthimin, akuza këto që Londra i ka mohuar.
Po ashtu, sipas ministrit të Jashtëm, Rusia dëshiron që konflikti në Ukrainë të përfundojë, “por do t’i përgjigjet Perëndimit për armët që ka dërguar në Kiev.”
Sipas Sergei Lavrov-it, forcat e Moskës nuk do të rrinë duarkryq përpara dërgimit të armëve të rënda nga Perëndimi “me synimin për t’i çuar sa më larg kufijve forcat ukrainase.”
Në një intervistë për televizionin shtetëror, kryediplomati rus u shpreh se të gjithë do të donin që lufta në Ukrainë të përfundonte, por “ndihma që Perëndimi po i jep Kievit po luan një rol të rëndësishëm në mënyrën sesi Rusia po i qaset situatës.”
/abcnews.al