Në një draft-raport të Parlamentit Evropian që është përpiluar më 25 janar të këtij viti dhe që ka të bëjë me Kosovën, është mirëpritur aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në këtë raport po ashtu mirëpritet marrëveshja e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës e cila pritet të hyjë në fuqi më së largu në fillimi të janarit të vitit 2024, njofton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, ofrohet edhe mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në planin e saj për t’u bashkuar me programin e NATO-s Partneriteti për Paqe.
Më poshtë i gjeni disa nga pikat në të cilat ofrohet mbështetje për angazhimin dhe anëtarësimin e Kosovës në BE.
Mirëpritet kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE, e cila reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj dhe një zgjedhje të qartë strategjike gjeopolitike;
Mirëpritet marrëveshja e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës;
Kërkohet nga shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran ta bëjnë një gjë të tillë;
Merret parasysh periudha e stabilitetit politik pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe inkurajohet Kosova që të bëjë përpjekje të mëtejshme për të adresuar sfidat në rrugën e saj evropiane;
Theksohet fakti se ritmi i procesit të anëtarësimit do të varet nga progresi për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë;
Përgëzohet përafrimi i vazhdueshëm i Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, veçanërisht në dënimin e saj të fortë ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe në zbatimin e masave kufizuese të BE-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë;
Ritheksohet mbështetja për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e saj për t’u bashkuar me programin e NATO-s Partneriteti për Paqe;
Tutje, në këtë raport përmenden edhe të arriturat dhe ngecjet që kanë të bëjnë me liritë themelore dhe të drejtat e njeriut, pajtimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, reformat socio-ekonomike, energjinë, mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.Përpiluese e këtij draft raporti është Viola von Cramon-Taubadel, e cila është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Kujtojmë se më 12 maj të vitit të kaluar, Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ndërsa me 15 dhjetor të po të njëjtit vit, e ka dorëzuar aplikimin edhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njofton Klankosova.tv.
Pas një procesi të stërzgjatur, Kosovës më në fund i është dhënë drita e jeshile për heqjen e regjimit të vizave. Qytetarët e saj presin që të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen nga fillimi i muajit janar të vitit 2024./klankosova.tv