Klubet shqiptare janë të paorganizuara dhe kjo është arsyeja që dështojnë në blerjen e lojtarëve. Menaxheri Kosta Grillo flet për Abc Neës-in, duke marrë si shembull Partizanin e këtij viti në Champions.
Ishin shpresa për sezonin e ri, por luajtën vetëm pak minuta.
Kështu i ndodhi Partizanit në ndeshjen e parë në Champions ndaj Karabakut, kur futbollistët e marrë me pretendime nuk mundën ta ndihmonin pikërisht atëherë kur duhej, në kupat kontinentale.
Një sëmundje e vjetër e klubeve shqiptare, sipas menaxherit të lojtarëve, Kosta Grillo, ndonëse ai veçon deri diku Skënderbeun.
“Lojtarët e Partizanit që u morën ndenjën në stol dhe ti luajte me ekipin e vjetër. Domethënë nuk të shërbejnë këta lojtarë. Skënderbeu duke luajtur në Kupat e Europës, duke u futur në grupe siç duket edhe kontaktet edhe përvoja nuk e ndoqi me scouting, pati një menaxher të suksesesshëm që kishte në klub dhe forcoi lidhjet me menaxherët shumë të mirë”, tha Grillo.
Çfarë duhet të bëjnë klubet shqiptare për të qenë të suksesshëm?
“Duhet të ketë scouting me ish-lojtarë të vjetër për të gjetur lojtarët që të duhen, por kjo duhet filluar që në muajin Mars, që në Prill. Ne mbaron kampionati, pastaj fillon kush lojtar do ikë, kush do vijë. Krijohet një lloj hamullie, një lloj kausi”, tha Grillo.
Prej vitesh, Grillo punon më shumë në Qipro dhe në Ballkan, dhe shumë pak në Shqipëri, ku ka sjellë lojtarë si Stevan Raçiç, Ivan Fustar apo dikur Abraham Aleçenun. Gjithsesi, lëvizja më e bujshme e Grillos mbetet ajo Mario Kempesit tek Lushnja në 1996.
“Ka nisur biseda me ish-presidentin e Lushnjes, Pëllumb Xhaferrin. Ai kërkonte trajner brazilian, ishte i çmendur pas Brazilit. Iu drejtuam disa kompanive dhe në njërën nga ato fakset doli emri i Kempesit. E sollëm Kempesin në Tiranë. Presidenti i tha ulu, jo tha ai unë nuk rri. Kam prezantuesin tim. Ka shumë spekulime. Ajo u bë për 150 mijë dollarë kontrata”, tha Grillo./ABC News Albania 24/7