Ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume tha për Abc News se mazhoranca mund të dalë fituese dhe në ato bashki të djathta, duke marrë parasysh ngërçin në të cilin ndodhet Partia Demokratike. Siç tha ai, sipas Kodit Zgjedhor, të drejtën në zgjedhje e merr partia e regjistruar në Gjykatë.
“Çfarë thotë Kodi zgjedhor? Mund të kesh kandidatët e tu dhe nëse ligji të jep të drejtën të kesh dhe komisioner, është ajo parti politike e cila është regjistruar në gjykatën e Tiranës dhe në emër të asaj partie vepron ai që është regjistruar.”, u shpreh ai në intervistën për Abc News.
Ai shtoi se nëse nuk do të ketë një vendim gjykate për legjitimitetin e PD-së, atëherë mund të ndiqet mekanizmi i 6 Marsit.
“Nëse situata në gjykatë nuk ndryshon natyrisht nuk ka mundësi tjetër përveçse të vijohet me këtë taktikë. Kjo është situata më e keqe për opozitën sepse dhe grupi i Bashës ka kandidatin e vet dhe vota e demokratëve do të ndahet. Që në tavolinë, do të fitojë mazhoranca”, shtoi Kume.
Sipas tij, Alibeaj ka mundësi ta zgjidhë problemin duke mos çuar kandidatë por duke pranuar ata që kanë marrë shumicën e partisë.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë kështu, ka ndodhur një fenomen tjetër në 2001 kur kandidatët për deputetë të PD kanë garuar jo me siglën e PD, por si kandidat të pavarur. Prapë nuk ishte ajo që goditi garën. Dhe nëse nesër do të garohet në emër dhe me siglën e një koalicioni nuk do të ishte hata e madhe nëse nuk do të kishte kandidat nga pala tjetër.
Efekti negativ e sjell fakti që të dy grupet do të garojnë me kandidat e tyre. Pse nuk e shmang Alibeaj këtë gjë. Basha të mos çojë kandidatë dhe të pranojë kandidat që kanë marrë shumicën e partisë.”, tha ai./abcnews.al